Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në Gjilan e Prizren luhen “finalet” që mund të vendosin kampionin

Entuziazëm te Drita, mobilizim te Prishtina. Dy skuadrat pretendente për titull të kampionit të Kosovës në futboll, të premten (sot) i luajnë ndeshjet e parafundit për këtë edicion, që mund të jenë vendimtare në garën për titull në Vala Superligë.

Marrë për bazë klasifikimin në tabelë pas javës së 31-të, derbi luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Trepçës '89. Dy xhiro para fundit Drita prin me 63 pikë, ndërsa kampionia në fuqi, Trepça '89 është e treta me 50 pikë. Por me peshë të njëjtë vlerësohet edhe ndeshja që luhet në Prizren ndërmjet Lirisë dhe Prishtinës. Liria është e pesta me 47 pikë, kurse Prishtina është e dyta me 60 pikë, shkruan sot Koha Ditore.

Te Prishtina janë të vetëdijshëm që vetëm fitorja ndaj Lirisë në Prizren i mban në garë për titull. Nëse titulli nuk vendoset në ndeshjet e së premtes, atëherë ai do të vendoset në ndeshjen ndërmjet Prishtinës e Dritës, që pritet të luhet më 19 maj, në kuadër të javës së fundit kampionale (33).

Por gjasat janë që titulli të vendoset në xhiron e 32-të, të parafundit. Për këtë arsye pritet numër i madh i shikuesve si në Gjilan ashtu edhe në Prizren. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).