Sport

Ndeshjet që ia siguruan Kosovës gjysmëfinalen me Maqedoninë e Veriut

Kur UEFA vendosi për të formuar Ligën e Kombeve, numri i skeptikëve për një garë të re në kalendarin e ngjeshur të futbollit, nuk ishte i vogël. Por Konfederata Evropiane e Futbollit besoj në projekt dhe e realizoi atë. Aktualisht është edicioni i dytë i Ligës së Kombeve të UEFA-s, por edicioni i parë (2018/19) do të mbahet mend për shumë gjëra.

Liga që një prej qëllimeve e kishte të zëvendësonte miqësoret e përfaqësueseve, solli të mira të shumta. Lojtarë të rinj u promovuan, federatat fituan më shumë para, ndërsa ndeshjet zyrtare fituan në peshë në krahasim me miqësoret. Ankesat për orar të ngjeshur të lojtarëve u zbehën me kalimin e kohës.

Për Kosovën sidomos, Liga e Kombeve të UEFA-s, doli të jetë më shumë se e suksesshme. Falë saj, Kosova të enjten (8 tetor) luan ndaj Maqedonisë së Veriut, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Euro 2020. Nëse e fiton gjysmëfinalen në Shkup, atëherë më 12 nëntor do të luajë me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë (në udhëtim), në finale të plejofit. Fituesi i finales kualifikohet për në Evropianin e shtyrë për vitin tjetër.