Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ndeshja Atalanta – Valencia mund të ketë ndikuar dukshëm në përhapjen e koronavirusit në Bergamo

Foto: Reuters

Ndeshja e Atalantas me Valencian mund të ketë ndikuar në rritjen e dukshme të numrit të rasteve me koronavirus në Bergamo, ka thënë një imunolog.

Atalanta fitoi 4:1 në “San Siro” të Milanos ndaj Valencias më 19 shkurt në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Në atë ndeshje udhëtuan 40 mijë tifozë nga Bergamo për në Milano.

Regjioni i Lombardisë është prekur më së rëndi nga pandemia në Itali, ku Bergamo është një nga qytetet më të goditura. Mbrëmë 60 arkivole janë marrë me kamionë ushtarak pasi që krematoriumet në Bergamo ishin të ngarkuara.

Ka pasur 533 vdekje në Bergamo që kur nisi kriza, 93 vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

“Ka gjasa që ka pasur nxitës të mëdhenj apo katalizator. Ndeshja Atalanta – Valencia shumë lehtë mund të jetë një nga to. Ishte maja e një euforie kolektive në një stinor unik të futbollit për këtë klub. Një muaj ka kaluar që nga ajo ndeshje, kështu që koha është me vend. Mbledhja e mijëra njerëzve, vetëm pak centimetra larg njëri-tjetrit, duke u përqafuar, bërtitur, gjithë këto kanë mundur të favorizojnë përhapjen e virusit. Duhet të imagjinojë edhe se shumica nuk kanë dashur të humbasin atë ndeshje, edhe nëse kishin pak temperaturë. Duke e shikuar tash, ishte çmenduri të luhej ndeshja me shikues”, ka thënë imunologu Francesco Le Foche për “Corriere dello Sport”, transmeton Koha.net.