Derbi i javës së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll mes Trepçës e Prishtinës është ndërprerë.
Takimi i së shtunës mbrëma është ndërprerë në minutën e 40-të, kur rezultati ishte 25:19 në të mirë të mysafirëve, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndeshja u luajt në palestrën “Minatori” para afro 400 shikuesve.
Një incident mes lojtarëve bëri që të krijohej një tollovi, ndërsa më pas në fushën e lojës kanë hyrë edhe disa shikues. Për këtë edhe është ndërprerë takimi.
Sipas njoftimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, pas një dueli në mes të Lindrit Fetahut të Trepçës dhe Kreshnik Krasniqit të Prishtinës, Fetahu e ka goditur me kokë Krasniqin. Më pas është krijuar një tollovi ku janë përfshirë lojtarë të të dy ekipeve, e po ashtu në fushë kanë hyrë disa shikues. Por sipas zyrtarëve të ndeshjes ata nuk kanë sulmuar ndonjë lojtar apo drejtues të ekipit mysafir.
Për këtë ndeshje pritet që gjatë javës të vendosin organet e FHK-së. Pritet që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Prishtinës, ndërsa Trepçës t'i merret një pikë. Po ashtu “xehetarëve” pritet t'iu suspendohet terreni... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.