Federata Angleze e futbollit ka konfirmuar se ka mbyllur hetimet për akuzat se punonjësit e Liverpoolit kanë hakuar sistemin e skautëve të Manchester Cityt, raporton Sky Sports.
Federata ka kërkuar informacione nga të dy klubet sa i përket kësaj çështje, me drejtorin sportiv të Liverpoolit, Micheal Edwards dhe anëtarët e stafit Dave Fallows dhe Julian Ward që dyshoheshin se kanë hakuar një bazë të të dhënave të lojtarëve që e përdorte City, transmeton Koha.net.
Akuza kishte të bënte se stafi i Liverpoolit në mënyrë të paligjshme ka përdorur qindra herë gjatë qershorit 2012 dhe shkurtit 2013 të dhënat, që i përkisnin skautit të Cityt, Rob Newman.
Megjithatë, për shkak të vjetërsisë së akuzave FA thotë se hetimi nuk do të shkojë më tej derisa nuk ka informacione të reja rreth kësaj çështje. E gjithashtu për shkak të arritjes së një marrëveshje ndërmjet dy klubeve për 1 milion funtash për zgjidhjen e kësaj çështje.
“FA me kujdes ka shqyrtuar dëshmitë që ka pranuar për këtë çështje, përfshirë informacionet e dhëna nga të dy klubet e përfshira, dhe ka vendosur të mos vazhdojë hetimet. Kjo për shkak të disa faktorëve, përfshirë këtu vjetërsinë e akuzave dhe marrëveshjes së arritur ndërmjet dy klubeve”, thuhet në një deklaratë të FA.