Pasi u mposht në vikendin e kaluar, Napoli synon t’u kthehet fitoreve në Serie A të shtunën, kur e pret Atalantan.
Dueli Napoli – Atalanta i takon xhiros së 26-të të Serie A të Italisë, kurse nis në orën 18:00.
Humbja nga Lazio bëri që Napoli të mos shkëputej edhe më shumë në tabelë, kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje për t’u zhvilluar.
Napoli ka 65 pikë në vendin e parë.
Trajneri Luciano Spalletti nuk mbeti i pakënaqur me disfatën nga Lazio, pasi e quajti atë humbje si “ditë pushimi”.
Me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes dhe me dyshen e sulmit Victor Osimhen dhe Khvicha Kvaratskhelia, Spalletti po marshon drejt titullit të parë në Serie A, që prej vitit 1990.
Spalletti dhe Napoli në mesajvën e ardhshme do të luajnë kundër Eintracht Frankfurtit në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa në duelin e parë fituan 2:0 në Gjermani.
Atalanta në ndeshjet e fundit nuk ka treguar formën më të mirë të mundshme.
E ka fituar vetëm një ballafaqim nga pesë të fundit dhe është pesë pikë prapa top-katërshes.
Kampioni në fuqi, Milani, ka 47 pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Roma në pozitën e katërt.
Milani e mbyll xhiron e 26-të në Serie A me ndeshjen në shtëpi kundër Salernitanas, që luhet të hënën.
Juventusi të dielën nga ora 20:45 luan kundër Sampdorias, kurse Roma të njëjtën ditë nga ora 18:00, ballafaqohet me Sassuolon.