Trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, ka insistuar të mërkurën se nuk është i dëshpëruar që ndeshja e parë në shtëpi në Ligën e Kampionëve, në kuadër të 1/8 së finales kundër Liverpoolit, do të zhvillohet në Hungari.
Rregullat e rrepta kanë bërë që “të kuqtë” të mos lejohen të udhëtojnë në Gjermani dhe ndeshja e javës së ardhshme, të martën, të luhet në “Pushkash Arena”, në Budapest.
Leipzigu arriti në gjysmëfinale të “Championsit” sezonin e kaluar, ku u mposht nga PSG-ja. Ndërkohë, Liverpooli e fitoi këtë garë për herën e gjashtë në histori të klubit në vitin 2019. “Në fakt jam i lumtur që na është lejuar të luajmë, që na është lejuar ta bëjmë punën tonë. Rrethanat në situata dhe kohëra të caktuara kërkojnë masa të veçanta në të gjitha vendet, dhe futbolli nuk përjashtohet. Nuk e shoh si disavantazh të madh. Edhe Liverpooli duhet të fluturojë e ta zhvillojë ndeshjen atje. Jam shumë i lumtur që do të luajmë dhe ta bëjmë punën tonë. Nuk është koha për t’u ankuar”, ka thënë ndër të tjera trajneri Nagelsmann.