Reprezentuesi i Kosovës, Florent Muslija, vazhdon të ketë telashe te skuadra e Hannoverit, që këtë edicion bën gara në Bundesliga 2. Telashet e kosovarit janë konfirmuar të mërkurën mbrëma kur Muslija nuk figuronte fare në formacionin e Hannoverit për ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndaj Fortuna Duesseldorfit.
Këtë ndeshje e fitoi Hannoveri 3:0, ndërsa Muslija e përcolli nga tribunat. Ai nuk ishte i lënduar, por u la në tribuna nga trajneri Jan Zimmermann, që nuk është i kënaqur me atë që ka treguar mesfushori deri më tani. Madje e përditshmja gjermane “Bild” ka shkruar se trajneri Zimmermann është tejet i dëshpëruar me 23-vjeçarin, i cili edhe pse vlerësohet ndër lojtarët më të mirë të Hannoverit nuk po arrin ta bëjë dallimin në fushë.
“Trajneri i pestë i Hannoverit, tani është gjithashtu i dëshpëruar me mesfushorin. Florent Muslija cilësohet si futbollisti më i mirë në ekip. Ka talent të bollshëm, teknikë të përsosur të gjuajtjes, aftësi të forta driblimi dhe pasimi. Në fakt ai është lojtari që duhet ta bëjë pasimin e fundit dhe të bëjë diferencën në fushë, por kjo nuk po ndodh. Ai është shumë i mirë për divizionin e dytë. Mirëpo trajnerit Zimmermann me sa duket i ka ardhur fundi i durimit me Florentin, të cilin e largoi tërësisht nga ekipi për ndeshjen ndaj Fortunës. Kjo ishte hera e parë që kosovari duhej ta shikonte një ndeshje të Hannoverit nga tribuna këtë sezon”, ka shkruar “Bild”.
Këtë edicion Muslija ka shënuar vetëm një gol në dhjetë paraqitje në të gjitha garat me Hannoverin. Golin e ka shënuar në kuadër të kupës gjermane. Thuhet se durimi trajnerit Zimmermann me reprezentuesin e Kosovës i ka humbur pas ndeshjes së tretë kampionale, të cilën Hannoveri e humbi 2:0 nga Dynamo Dresdeni.
“Ne e humbëm ndeshjen për shkak të mungesës së dëshirës dhe pasaktësisë. Ne dështuam në duelet një me një, për shembull Florent Muslija nuk ishte efektiv”, ishin fjalët e trajnerit Zimmermann pas disfatës nga Dresdeni.
Edhe
Muslija para një “finaleje” tjetër pas asaj me Kosovën
Deri në atë ndeshje Muslija ishte titullar te Hannoveri, por pastaj minutat e tij u limituan dukshëm deri të dielën e shkuar, kur startoi ndaj Jahn Regensburgut. Megjithatë, Muslija u zëvendësua me të përfunduar pjesa e parë në ndeshjen që Hannoveri e humbi 3:1. Pas ndeshjes, Zimmermann haptazi pranoi se është shumë i zhgënjyer me Muslijën, prej të cilit kishte pritur më shumë. Largimi në tribunë në ndeshjen e fundit nuk është aspak sinjal i mirë për kosovarin, i cili duket se nuk ka bindur me paraqitjet e tij në fushë.
Muslija është pjesë e Hannoverit prej vitit 2018, kur iu bashkua nga Karlsruhe dhe ka kontratë deri në fund të këtij sezoni. Ai prej vitit 2019 është reprezentues i Kosovës dhe deri më tani ka pesë paraqitje për “Dardanët”.