Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Musa Hajdari e fiton garën kushtuar dëshmorit Haradin Bajrami

Musa Hajdari e pati kohën më të mirë në garën e vrapimit që u zhvillua në Lipjan. Të dielën u organizua gara “Vrapimi shtigjeve të dëshmorit Haradin Bajrami”, që i kushtohet këtij dëshmori.

Shtegun e gjatë 5 kilometra më së shpejti e vrapoi Musa Hajdari, që është prej atletëve më të mirë në vend.

Ai kishte kohë prej 15 minuta e 55 sekonda. Në vendin e dytë në kategorinë e seniorëve doli Astrit Kryeziu që kishte kohë prej 16 minuta e 26 sekonda, derisa Valentin Sadiku u rendit i treti me 25 sekonda më ngadalë se i dyti. Të tre janë pjesë e klubit Rogana.

Në kategorinë e senioreve e para doli Albina Deliu me kohë 19 minuta e 23 sekonda, ndërsa Odeta Belegu dhe Gentiana Peci mbetën pas saj. Aktiviteti tradicional i atletikës u organizua për nder të 22-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Haradin Bajrami.

Garën e organizuan Federata Atletike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, klubin Blinaja dhe familjen Bajrami. Morën pjesë rreth 150 vrapues. Gara u organizua edhe për pionierë, juniorë, nxënës e veteranë.