Sport

Muriqi shpreson ta bindë Sarrin

Foto: Driton Paçarada / KD

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi ka vlerësuar lart trajnerin e ri të Lazios, Maurizio Sarrin. Muriqi ka thënë se Sarri është njëri prej trajnerëve më të mirë në botë dhe shpreson ta bindë gjatë fazës përgatitore se meriton një vend titullari në ekip për sezonin e ri.

Ditë më parë, në prezantimin e tij, Sarri tha se në ekip i ka tre sulmues, njëri prej të cilëve është i tepërt. Lazio tashmë ka nisur përgatitjet për sezonin e ri nën urdhërat e Sarrit, i cili në këtë post e zëvendësoi Simone Inzaghin që mori drejtimin e Interit.

“Unë jam mirë. Për mua është e rëndësishme që të punoj prej ditës së parë të fazës përgatitore, pasi vitin e shkuar mungova për shkak të koronavirusit dhe pastaj lëndimeve. Shpresoj ta shihni Muriqin e vërtetë në sezonin e ri”, ka thënë Muriqi për mediumet italiane. “Është mirë që po e mësojmë dinamikën e Sarrit. Të gjithë kemi biseduar së bashku me trajnerin, jo privatisht. Ai është një trajner i sinqertë dhe flet më të gjithë në fushë. Sarri është një nga më të mirët në botë dhe do të duhet pak kohë të mësohemi me sistemin e tij, por si ekip jemi në gjendje të luajmë me tre sulmues”.

Muriqi gjithashtu ka folur edhe për transferimin e ri të Lazios, mbrojtësin e krahut, Elseid Hysajn.

“Unë e njoh atë, pasi e kemi sfiduar njëri tjetrin. Hysaj do të jetë një ndihmë e madhe për ekipin në sezonin e ri, dhe është një transferim i dobishëm”.