Sulmuesi Vedat Muriqi nuk ishte i gatshëm fizikisht për ta ndihmuar Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjet e këtij muaji, përfshirë edhe atë kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të plejofit të Ligës së Kombeve që do të luhet të enjten (sot) në Shkup. Mirëpo Muriqi pritet të jetë i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën e Lazios në ndeshjen që e luan në udhëtim kundër Sampdorias, ka raportuar “Gazzetta dello Sport” të enjten.
Këtë ndeshje Lazio e luan vikendin tjetër, saktësisht të shtunën (17 tetor) në kuadër të xhiros së katërt të kampionatit italian. Muriqi javë më parë u transferua te Lazio nga Fenerbahçe për 18 milionë euro, por vetëm këtë javë i është bashkuar ekipit të ri. Ai pas firmosjes me Lazion u rikthye në Stamboll ku rezultoi pozitiv me koronavirus dhe pas karantimit prej dy javëve ka nisur fazën e rikuperimit në qendrën stërvitore të ekipit nga Italia. Ai gjithashtu pati pësuar edhe një lëndim tek ekipi turk. Në fakt, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të martën njoftoi se Muriqi nuk do të grumbullohet për ndeshjet e këtij muaji edhe pse ishte përfshirë në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes. Në njoftimin e FFK-së thuhej se testet e fundit te Lazio bënë me dije se gjendja e tij fizike nuk e lejon që të grumbullohet me “Dardanët”. E te Lazio po shpresojnë që Muriqi deri në fund të javës së ardhshme të përmirësojë gjendjen fizike për ta ndihmuar ekipin e tij ndaj Sampdorias. Në këtë ndeshje Lazios i mungon sulmuesi kryesor Ciro Immobile për shkak të pezullimit dhe trajneri Simone Inzaghi ka kthyer sytë kah Muriqi, të cilin shpreson ta ketë në dispozicion.
“Lazio do të udhëtojë në Genoa që të përballet me Sampdorian pa Ciro Immobilen që mungon shkaku i kartonit të kuq në ndeshjen e fundit. Kështu që, te Lazio po shpresojnë në debutimin e Vedat Muriqit në këtë ndeshje. Gjasat janë të mëdha që Muriqi ta zërë vendin e Immobiles në sulm, por gjithçka varet nga gjendja e tij fizike, në të cilën po punon intensivisht në Formello”, ka shkruar gazeta italiane.
Muriqi ndeshjen e fundit me Kosovën e ka luajtur në muajin tetor të vitit të shkuar dhe është golashënuesi më i mirë i “dardanëve” dhe sulmuesi kryesor, me tetë gola në 23 paraqitje. Krahas duelit me Maqedoninë e Veriut, Kosova këtë muaj do të luajë edhe me Slloveninë e Greqinë në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Muriqi me Lazion ka firmosur kontratë 2025. Ai te ekipi italian u transferua pas formës së mirë që e pati edicionin e shkuar te Fenerbahçe, ku realizoi 17 gola dhe asistoi shtatë herë në 36 ndeshje në të gjitha garat.