Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muriqi mund t’i bashkohet Galatasarayt

Vedat Muriqi mund të kthehet të luajë në Superligën e Turqisë.

Gjiganti turk, Galatasaray, po mendon fillimisht ta huazojë Muriqin nga Mallorca dhe pas gjashtë muajsh ta blej kartonin e tij.

“A Spor” raporton të hënën se hapat zyrtarë nga Galtasaray pritet të merren në ditët në vijim. Sulmuesi 29-vjeçar iu bashkua Mallorcas në verën e vitit 2022 nga Lazio. Ai më herët në Turqi ka luajtur për Fenerbahçen, rivalin e Galatasarayt, si dhe për Rizesporin, Gençlerbirligin dhe Giresunsporin. Ka luajtur po ashtu në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në Turqi raportohet se Muriqi ka tri nënshtetësi – të Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë. Nënshtetësinë e Turqisë e ka marrë në vitin 2015.

Sipas “ajanspor.com” në dokumentacionet turke emri dhe mbiemri i reprezentuesit të Kosovës janë “Vedat Muriç”.

Edhe Galatasaray në garë për Vedat Muriqin Futboll 2 muaj më parë Galatasaray në garë për Vedat Muriqin

Muriqi së fundi është kthyer nga një lëndim që e mbajti gjatë jashtë fushës. Në 14 ndeshje të edicionit aktual në La Liga të Spanjës ka shënuar katër gola dhe ka kontribuar me dy asistime.

Afati kalimtar në Turqi është i hapur deri më 9 shkurt.