Katër gola në katër ndeshjet e fundit kampionale. Gjashtë gola në gjashtë ndeshjet e fundit. Ky është bilanci i Vedat Muriqit gjatë muajit shtator.
Sulmuesi kosovar në fakt nuk realizoi në ndeshjen e parë të muajit të kaluar, në barazimin pa gola të Mallorcas me Athletic Bilbaon, më 3 shtator. U zhbllokua në ndeshjen e Kosovës me Zvicrën, më 9 shtator, kur shënoi dy gola në barazimin 2:2.
Më 12 shtator u përjashtua me të kuq në humbjen 2:0 të Kosovës nga Rumania. Më pas u kthye në Spanjë dhe prej atëherë nuk ka të ndaluar te Mallorca.
Më 16 shtator shënoi për fitoren 1:0 të Mallorcas ndaj Celta Vigos. Tjetër gol shënoi më 23 shtator, në humbjen 5:3 nga Girona. Ndaj Barcelonës më 26 shtator ishte më i miri i ndeshjes. Shënoi gol dhe asistoi në barazimin 2:2. Dhe efikasitetin e vazhdoi të shtunën. Shënoi gol në barazimin dramatik e diskutabil ndaj Rayo Vallecanos.
Vallecano kaloi në epërsi që në minutën e katërt, ndërsa Muriqi shënoi për 1:1 në minutën e 44-t. Realizoi nga afërsia. Mallorca kaloi në epërsi 2:1 në minutën e 59-të, ndërsa goli i barazimit, 2:2, u shënuan në minutën e 102-të. Penalltia që solli golin e barazimit për Rayo Vallecanon ishte shumë diskutabile.
Edhe
Muriqi vetëkritik edhe pas golit të 50-të në La Liga
Kështu goli i Muriqit për herë të dytë rresht ishte i vlefshëm për një pikë, jo për fitore. Ndeshja e së shtunës ka dëshmuar se 29-vjeçari ka kaluar përfundimisht krizën e fillimit të edicionit.
“E kam nisur kampionatin shumë keq, me dy penallti të humbura. Por më pas, falë bashkëlojtarëve, tifozëve, stafit teknik, iu ktheva golit ndaj Celtas dhe prej atëherë është Muriqi i vërtetë”, ka thënë sulmuesi prizrenas për faqen zyrtare të Mallorcas.
Është diskutuar shumë në Spanjë për mënyrën se si barazoi Rayo Vallecano.
“Është e dhimbshme. Të jesh duke fituar deri në minutën e fundit, të luftosh shumë dhe në vend se të marrësh tri pikë të marrësh vetëm një, është e dhimbshme. Para pauzës na pret ndeshja me Valencian. Duam t’u japim tifozëve tanë tri pikë dhe në pushim të shkojmë të qetë”, ka shtuar Muriqi.
Edhe
“Marca” shkruan për ndeshjet pa gola të Muriqit
Ai është figura kryesore e Mallorcas. Edicionin e kaluar në La Liga i shënoi 15 gola në 35 paraqitje. Tani i ka katër gola në tetë ndeshje. Është në rrugë të mirë që ta kaloi shifrën e golave që i shënoi në kampionatin spanjoll në edicionin e kaluar.
Mallorca ka shumë nevojë për golat e Muriqit. Deri më tani ka një fitore, katër barazime e tri humbje. Me shtatë pikë vazhdon të jetë në pjesën e poshtme të tabelës në kampionatin spanjoll.