U dënua me 6 muaj nga Federata e Futbollit të Kosovës për shkak të video-skandalit të publikuar në mediat kosovare, edhe pse dënimi iu zvogëlua në vetëm 3 muaj.
Një gjë të tillë nuk e pranon dhe e kundërshton fuqishëm, duke e quajtur të montuar të gjithë atë çfarë ka ndodhur, njëri ndër trajnerët më të njohur në futbollin kosovar, Ismet Munishi, raporton KTV.
Munishi e ka harruar ngjarjen që ia ndali në gjysmë aventurën te skuadra e Dritës, edhe pse tani trajneri të ardhmen e tij e lidh me skuadrën e Vëllaznimit.
Kryetrajneri i “kuqezinjve” ka treguar se pavarësisht dënimit, menjëherë kishte dy oferta mjaft serioze, për të udhëhequr dy klube në elitën e futbollit kosovar.
Munishi, edhe përkundër të gjitha situatave të krijuara, mendon që është njëri ndër trajnerët më të mirë kosovarë, ndoshta edhe më i miri.
Pas rikthimit në punën e trajnerit, 42-vjeçari dëshiron që skuadrën nga Gjakova ta kthejë në katërshen e madhe të futbollit kosovar.