Xhudistet kosovare po vazhdojnë të fitojnë medalje në ngjarjet e rëndësishme. Pas dy medaljeve të arta olimpike, të enjten Kosova ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Evropian.
Bëhet fjalë për Evropianin për juniorë që po mbahet në Luksemburg. Erza Muminoviq e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë. Për Erzën është medalja e parë në kampionate evropiane të juniorëve (U21).
Për vend të tretë, Erza e mposhti italianen Federica Silveri. Erza fitoi me “Ippon” duke realizuar hedhje të bukur.
Erza ka shfaqur xhudo të nivelit të lartë gjatë tërë ditës. Fitoi fillimisht ndaj spanjolles Marina Castello Diaz. Në luftën e dytë e mposhti britaniken Sian Bobroëska. Një moment pakujdesie i kushtoi në luftën e tretë, përkatësisht në çerekfinale. Humbi nga rusja Liliia Nugaeva. Në repesazh fitoi fillimisht ndaj çekes Marie Polnicka e më pas ndaj italianes.
19-vjeçarja Muminoviq ka pasur suksese kulmore te kadetet. Tani ka nisur me suksese serioze edhe te junioret. Prej saj pritet shumë në të ardhmen.
Në Evropianin e juniorëve garoi edhe Fationa Kasapi. Ajo u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë.