Sulmuesi i Bayern Muenchenit, Thomas Mueller ka folur pas tërheqjes së shortit për 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Bayerni që ishte superior në fazën e grupeve me gjashtë fitore, në fazën nokaut do të përballet me një kundërshtar të vështirë, Paris Saint-Germainin. Kjo përballje është njëra prej dy superderbive që do të luhen në këtë fazë.
Mueller ka thënë se te Bayerni do të jenë të gatshëm për duelet e vitit të ardhshëm me Parisin.
“Përballen dy ekipe shumë të mira, me lojtarë të jashtëzakonshëm. Për fat të keq, njëra prej tyre nuk do të mund të avancojë në rundin tjetër. Me padurim po e pres këtë ndeshje të madhe që do të luhet vitin tjetër. Është një duel madhështor i futbollit”, ka thënë Mueller.