Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mourinho: Kthimi i futbollit do të jetë mirë për të gjithë

Kryetrajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho beson se rikthimi i futbollit, madje edhe pa shikues, do të jepte një shtytje morale aq të nevojshme për tifozët gjatë kësaj krize të koronavirusit.

Ndeshjet në Premier League janë pezulluar që nga 9 marsi për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka marrë më tepër se 26 mijë jetë në Britani.

Krerët e futbollit në Holandë kanë marrë vendim që të mos vazhdohet stinori në Eredivisie, ndërsa ministrja e sportit e Francës, Roxana Maracineanu ka bërë thirrje të enjten që të mos vazhdohet stinori 2019/20 në Ligue 1 të Francës.

Klubet e elitës së Anglisë do të takohen të premten ku “Projekti i Rifillimit” është në krye të agjendës së tyre. Do të diskutohet se si mund të përfundohet stinori, ndonëse ka vështirësi logjistike.

“Më mungon futbolli”, thotë Mourinho për “Sky Sports”. “Por, më pëlqen të them se më mungon bota jonë, siç mendoj se i mungon të gjithëve. Futbolli është vetëm një pjesë e botës sonë. Por, duhet të jemi të durueshëm, është një luftë në të cilën duhet të luftojmë të gjithë”.

Mourinho ka folur nga stadiumi i Tottenhamit, që është transformuar në një qendër testimi, shërbimi për spitalet lokale dhe po ashtu vend për shpërndarje të ushqimit.

Edhe nëse ndeshjet kthehen, ato do të luhen pa shikues për një kohë, për të minimizuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit.

Por, Mourinho beson se lojtarët do të luajnë për miliona tifozë në mbarë botën.

“Nëse luajmë nëntë xhirot e mbetura të stinorit do të jetë mirë për të gjithë ne. Do të jetë mirë për futbollin, për Premier Leaguen. Nëse luajmë pa shikues më pëlqen të mendoj se futbolli kurrë nuk është me dyer të mbyllura. Me kamerat në të, do të nënkuptojë se miliona e miliona do të shikojnë. Kështu që nëse një ditë futemi në këto stadiume të zbrazura, nuk do të jenë të zbrazura, sigurisht se jo”, ka thënë Mourinho.

Para pezullimit, Mourinho kishte thënë se mezi po pret që stinori të mbarojë për shkak të problemeve të shumta me lëndime.

Por, Tottenhami mund të bëjë një sulm të vonshëm në garë drejt Top 4, kur liga të rifilloj, pasi Harry Kane, Moussa Sissoko, Steven Bergwijn dhe Son Heung-min, janë rikuperuar nga lëndime. Son do të kompletojë periudhën trejavore të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Kore të Jugut.

“Ata janë rikuperuar nga lëndimet. Harry Kane nuk është i lënduar, Moussa Sissoko nuk është i lënduar, Steven Bergwijn nuk është i lënduar. Por, është një gjë të mos jesh i lënduar e një gjë tjetër të jesh i gatshëm të luash. Ata kanë kaluar shumë javë të lënduar dhe kur ishin gati të rikuperonin lëndimet, stërvitjet u ndalën. Nuk e dimë gjendjen e tyre, duhet të presim për një leje zyrtare që lojtarët të stërviten në grup për të parë nëse mund të kthehen në nivel normal të garave”, ka shtuar Mourinho.

Artikuj të ngjashëm