Futbollistët e Manchester Unitedin që morën pjesë në botërorin “Rusia 2018” duhet të shqyrtojnë mundësinë e shkurtimit të pushimeve për të ndihmuar ekipin e varfëruar në fazën e parë të edicionit të ri në Premier League, që nis për më pak se dy javë.
Kështu ka deklaruar trajneri i Manchesterit, Jose Mourinho, që shpreson se kërkesa e tij do të ketë ndikim te disa prej futbollistëve kryesorë që ende po i shijojnë pushimet e verës, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Disa prej lojtarëve kryesorë të përbërjes së parë të Manchesterit, përfshirë Paul Pogban, Romelu Lukakun e Jesse Lingardin janë në pushim pas paraqitjes në botërorin “Rusia 2018” dhe pritet t'i mungojnë ekipit në ndeshjen e xhiros së parë kundër Leicester Cityt, që luhet më 10 gusht.
Pogba fitoi titullin e botës me Përfaqësuesen e Francës dhe ngjashëm si Lukaku janë të lirë për të pushuar deri më 5 gusht.
Mourinho ka thënë se shembullin më të mirë deri më tani e kanë dhënë Phil Jones e Marcus Rashford, të cilët kanë paralajmëruar shkurtimin e pushimeve për t'u bashkuar në stërvitje. Jones e Rashford ishin pjesë e Përfaqësueses së Anglisë që përfundoi në pozitën e katërt në Rusi.
Mourinho po shpreson që hapave të tyre të shkojnë edhe futbollistët tjerë që janë me pushime, pasi, sipas tij, ekipi ka nevojë më shumë se kurrë për praninë e tyre... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)