Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mount dhe Shaw pritet t’i mungojnë Anglisë në ndeshjet e këtij muaji

Mesfushori Mason Mount dhe mbrojtësi i krahut, Luke Shaw sipas të gjitha gjasave do t’i mungojnë Përfaqësueses së Anglisë për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Këtë e ka konfirmuar edhe përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate që ka thënë të enjten se dy futbollistët ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet që i morën vikendin e shkuar duke luajtur për ekipet e tyre.

Mirëpo, Southgate ka shtuar se Jack Grealish është plotësisht i gatshëm për ta ndihmuar Anglisë pas rikuperimit të plotë nga lëndimi.

“Duhet të konsultohem edhe një herë me stafin mjekësor përpara se të marrë një vendim për Masonin e Luken. Megjithatë, ata sipas të gjitha gjasave do të mungojnë në këto dy ndeshje”, ka thënë Southgate.

Anglia, të premten luan në Londër kundër Shqipërisë ndërsa javën tjetër përballet në udhëtim me San Marinon në kuadër të Grupit I kualifikues, të cilit i prinë me 20 pikë.