Drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina, në një bisedë për “Interaktiv” të KTV-së ka insistuar se nuk i është bërë asnjë ftesë Partizanit të Beogradit dhe se deklaratat e tij dhënë në emisionin “Slobodno srpski” janë keqinterpretuar.
“Nuk ekziston ftesë për turne, por ka qenë një bisedë e kamotshme e njerëzve të niveleve e pozitave të ndryshme. Ka qenë ideja se si mund të kujtohet Fadil Vokrri në mënyrën më të mirë. Përkthimi i intervistës që kam dhënë për një medium të Kosovës në gjuhën serbe, ka qenë tendencioz. Nuk ka qenë asgjë më tepër se një bisedë. Askush nuk ka dërguar ftesë dhe nuk është folur se kush do ta organizojë turneun. Në Serbi ka bërë shumë bujë”, ka deklaruar Morina.
Intervista e Morinës kishte bërë bujë në mediumet në Serbi, por pati reagime edhe në Kosovë.
Tifogrupi i Prishtinës, Plisat, kishte reaguar, duke kritikuar për këtë nismë, si dhe duke insistuar se nuk do të lejohet organizimi i një turneu të tillë.
“Këta djemtë e rinj e bënë atë nga euforia. E thash se është një përkthim tendencioz. Mirëpo, sa për nostalgji ndaj Jugosllavisë, mund t’iu bëjë me dije Plisave se ekziston një histori e familjes Morina prej viteve të 20-ta e deri më sot dhe me siguri kanë harruar se unë kam qenë kapiteni i fundit i Prishtinës në ish-Jugosllavi, kur e kemi prishur atë ligë dhe e kemi bërë ligën e Kosovës. E kemi bërë këtë kur të tjerët janë fshehur. Për jugonostalgji janë në adresë të gabuar”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, opinioni e ka perceptuar në mënyrë të gabueshme atë intervistë të tij. Në intervistë Morina kishte folur për iniciativë për të ftuar klubet ku ka luajtur legjenda Fadil Vokrri, si Nimesin e Francës, Fenerbahçen e Turqisë e Partizanin e Beogradit.
“Nëse dikush është prekë, i kërkoj falje, por gabimi duhet kërkuar tek ata që e kanë shtrembëruar deklaratën time”, ka thënë Morina.