Drejtori sportiv i Sevillas, Monchi ka thënë se ai nuk ka qenë në kontakt me Barcelonën për një transferim të mundshëm të Ivan Rakitiqit.
Ai ka thënë se është tepër e rrezikshme të flitet për transferime të lojtarëve në këtë krizë të koronavirusit.
Rakitiq kishte luajtur për tri vjet e gjysmë te Sevilla, para se t’i bashkohej Barcelonës në verën e vitit 2014. Që nga atëherë ai ka fituar 13 trofe të mëdhenj.
Por, Rakitiq 32-vjeçar ka humbur vendin e titullarit pas ardhjes së Frenkie de Jongut nga Ajaxi verën e kaluar. Ai po pritet të largohet, ndërsa ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2021. Është raportuar se për transferimin e tij po interesohen Manchester Unitedi, Interi, Paris Saint-Germaini e Sevilla.
Rakitiq kishte thënë se do të pëlqente të kthehej te Sevilla. Mirëpo, Monchi thotë se është jo reale të flitet për këtë momentalisht.
“Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me futbollin, për këtë arsye ne nuk do të shpenzojmë para kur nuk e dimë se çfarë të hyra do të kemi.l Nuk do të bëjmë këtë, as në blerje e as në rinovime të kontrata. Nuk ka negociata me Barcelonën për Rakitiqin. Unë kam lexuar se Ivani dëshiron të kthehet te Sevilla një ditë. E falënderoj për këto fjala dhe interesimin që të kthehet, por për tash është e rrezikshme të flitet për transferime. Nuk mund të thuhet se jemi të interesuar në ndokënd pasi është joreale. Sevilla nuk po bën asnjë lëvizje. Ne nuk kemi bërë lëvizje pasi nuk e dimë se si do të përfundojë kjo pandemi”, ka thënë Rakitiq për “Eldesmarque”.