Trajneri Carlo Ancelotti i ka ofruar Luka Modriqit mundësinë që t’i bashkohet stafit të trajnerëve te Real Madridi, në rast se ai pensionohet në fund të edicionit. Oferta e Ancelottit për Modriqin është bërë para dy muajsh, kanë shkruar mediumet e huaja të martën.
Edhe pse kroati ishte mirënjohës për këtë mundësi, ai menjëherë e ka refuzuar ofertën. Megjithatë, mediumi “The Athletic” ka shkruar se përgjigja jo, nuk ka qenë përfundimtare, pasi Modriq është duke e shqyrtuar ofertën. 38-vjeçari Modriq do të jetë pa kontratë në fund të edicionit aktual.
Ai ka luajtur në 28 ndeshje në të gjitha garat në këtë sezon, ndërsa e ka një gol të shënuar e gjashtë asistime.
Modriq u transferua te Real Madridi nga Tottenhami në verën e vitit 2012. Në total ka 516 paraqitje për klubin madrilen. Ka fituar 23 trofe, përfshirë pesë herë Ligën e Kampionëve, tri herë La Ligën dhe pesë herë Kupën e Botës për klube. Në vitin 2018 ishte fitues i “Topit të Artë”.