Mesfushori kroat Luka Modriq e ka rinovuar edhe për një vit kontratën me Real Madridin dhe do të jetë pjesë e klubit nga La Liga deri në verën e vitit 2022.
Lajmi është bërë i ditur të martën në sajtin zyrtar të Real Madridit. “Real Madridi dhe Luka Modriq janë pajtuar për rinovimin e kontratës së futbollistit, i cili do të mbetet pjesë e klubit deri më 30 qershor të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e Realit.
Modriq 35-vjeçar është pjesë e Real Madridit prej verës së vitit 2012 kur iu bashkua nga Tottenhami për 40 milionë euro dhe me fanellën e klubit spanjoll ka fituar në total 17 trofe, përfshirë dy tituj kampioni në La Liga dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve. Në edicionin e fundit, Modriq ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë po aq asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat.