Një muaj më parë, klubet dhe federatat sportive kishin dorëzuar dokumentacionin që u ishte kërkuar, në mënyrë që të përfitonin nga fondi i ndarë prej shtetit në emër të rimëkëmbjes ekonomike. Klubet e sportit nuk kanë marrë ende ndonjë para në emër të asaj përkrahjeje të premtuar, ndërsa me shumë gjasë duhet të presin edhe afro një muaj. Madje nuk dihet, të paktën publikisht, se nga sa para do t’u takojnë klubeve sportive.
Për klubet e sportit, në fund të shtatorit, ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës ndarja e një fondi prej 1,53 milionë eurosh. Paratë e këtij fondi do të shkojnë direkt në klube, e nuk do të ndahen përmes federatave. Por, procesi po zgjat më tepër sesa kanë pritur shumë drejtues klubesh.
Të ,premten Qeveria e Kosovës është marrë me këtë çështje, por vetëm ka bërë edhe një hap. Qeveria ka aprovuar një plan veprimi, shkruan KOHA.
“Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është aprovuar Plani i veprimit, me të cilin janë përcaktuar kriteret për ndarjen e mjeteve në vlerë 2,5 milionë euro, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e Programit të rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet në vendim të Qeverisë.
2,5 milionë është fondi për të gjithë MKRS-në, ndërsa për sport janë destinuar 1,5 milion euro.
E para e MKRS-së, Vlora Dumoshi, ka lënë të kuptohet se Ministria ende nuk i ka mjetet për t’i përkrahur klubet dhe palët e tjera përfituese.
“Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, do të fillojmë zbatimin e këtij plani”, ka shkruar ajo.
MKRS-ja nuk ka dhënë më shumë detaje, ndërsa ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Ibër Alaj, ka treguar se ende nuk është vendosur se me çfarë shume do të përkrahen klubet. Shumë klube që burim të vetëm e kanë buxhetin e shtetit e presin me padurim këtë ndihmë.
“Komisioni vendos”, ka thënë Alaj kur është pyetur se nga sa do të përfitojnë klubet. “Ende nuk ka vendim”, ka shtuar ai.
Sipas Alajt, “deri në fund të muajit nëntor bëhet shpërndarja e fondeve. Pra, deri në fund të nëntorit klubet do ta kenë përkrahjen e shtetit”.
MKRS-ja, sipas Ibër Alajt, ka formuar komision për të përcaktuar se nga sa para do t’i përfitojnë klubet prej fondit 1,5-milionësh.
Është e qartë se klubet e sporteve kolektive do të përfitojnë më shumë se klubet e sporteve individuale. Pritet që ndarja të jetë e bazuar në kategorizim. Kjo nënkupton se disa klube, sidomos të futbollit, mund të mbesin pa përkrahje. Burime të KOHËS kanë treguar të premten se FFK-ja për kategorizim nuk ka paraqitur të gjitha klubet, por vetëm një numër klubesh sa për të arritur pikët maksimale. Dhe kjo mund t’i penalizojë tani klubet e shkollat e futbollit. Edhe lista e klubeve në MKRS është dorëzuar në bazë të kategorizimit.
Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë sportin dhe klubet. Disa prej tyre mezi mbijetojnë. Por, sporti nuk po ndalet. Tashmë ka nisur edicioni i ri i garave në shumicën e sporteve. Madje, po zhvillohen edhe ndeshje ndërkombëtare. Aktualisht e grumbulluar është Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll, që luan ndeshje me Malin e Zi dhe Suedinë. Ndërkohë, në shumë vende ligat po pezullohen për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus.