Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), i ka vlerësuar të pabaza akuzat e grupit të pakënaqur të disa federatave sportive me punën e krerëve të MKRS-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). MKRS-ja ka reaguar disa ditë më vonë për deklaratat e disa zyrtarëve të federatave sportive, të cilët shprehën pakënaqësitë gjatë një konference për media.
Në konferencën që zgjati dy orë, anëtarët e federatave akuzuan ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministren Daulina Osmani për siç thanë “ndërhyrjet brutale dhe vendimet e paligjshme që sipas tyre, përbëjnë vepra penale”. Ndaj ministrit Çeku është thënë se është ngritur padi në Gjykatën Themelore dhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore. Padia është njoftuar se është bërë nga kryetari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Astrit Haliti.
Ndërsa, kallëzimi penal është bërë nga nënkryetari i Federatës së Taekwondos së Kosovës (FTK), Nuhi Gashi. Po ashtu, akuza pati edhe ndaj kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretarit Besim Aliti për siç thanë “shkeljet e statutit të KOK-ut dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të federatave sportive, ndërhyrjet në punët e KAS-it dhe shkeljet në procesin e kategorizimit të sporteve të Kosovës”. Mirëpo, në përgjigjen e MKRS-së dhënë KOHËS thuhet se nuk kanë qëllim të cenojnë autonominë e federatave sportive në vend, por të mbrojnë ligjshmërinë nga veprimet e vendimeve e grupeve të interesit.
“Vendimet e MKRS-së nuk kanë qëllim ta cenojnë autonominë e federatave, por të mbrojnë ligjshmërinë nga veprimet e vendimet e grupeve të interesit brenda federatave që tentojnë të mirëmbajnë interesin e tyre personal a grupor duke abuzuar në emër të autonomisë, e cila kur ushtrohet brenda Ligjit për Sportin, nuk mund të cenohet”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.
FNK-ja është e vetmja federatë sportive që nuk i është vazhduar licenca. Në fakt, ka kohë që në sportin e notit ka ndasi, ndërsa punë së fundi kishte edhe Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS) i KOK-ut. KAS-i më 24 mars ka aprovuar një padi të gjashtë klubeve, që e kishin paditur FNK-në. Klubet i ishin drejtuar me padi KAS-it për mosanëtarësimin e tyre nga Federata e Notit e Kosovës. Dhe, vendimi i këtij organi është pro klubeve. Për mosrespektim të vendimit të KAS-it, KOK-u e suspendoi pak kohë më parë FNK-në. Në përgjigjet e gjata të MKRS-së, po ashtu, sqarohet edhe vendimi për mosvazhdim të licencës të FNK-së. Sipas MKRS-së, klubeve të ankuara u është mohuar e drejta e njohur me Ligjin për Sport për ushtrim të veprimtarisë sportive.
“MKRS-ja ka konstatuar se kjo federatë ka cenuar dispozitat e Ligjit për Sport dhe ka pezulluar, gjegjësisht, ka vendosur të mos vazhdojë vlefshmërinë e licencës bazike të skaduar. Me këtë, konsiderojmë se kemi zbatuar në tërësi Ligjin për Sport dhe kemi ushtruar mandatin e instrumentet ligjore për të mbajtur federatat në parimet bazike të ushtrimit të autoritetit ekskluziv si delegim i rëndësishëm i ushtrimit të një funksioni me interes publik”, thuhet tutje në përgjigjen e MKRS-së.
MKRS-ja është përgjigjur edhe për vendimin e fundit për Federatën e Taekwondos së Kosovës. Në vendim të MKRS-së për dhënie të licencës, thuhet se “duke u bazuar në rekomandimin e Divizionit të Federatave dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, vazhdon vlefshmërinë e licencës deri më 31.07.2022 për Federatën e Taekwondos të Kosovës, me përfaqësuesit legjitimë sipas shkresës të datës 09.06.2022”.
Edhe
Padi e kallëzim penal ndaj krerëve të MKRS-së dhe KOK-ut
MKRS-ja arsyeton vendimin për vazhdim të licencës së përkohshme për FTK-në.
“MKRS-ja pas pranimit të parashtrimeve të palëve që kanë pasur raporte të caktuara zyrtare me Federatën, ka ardhur në përfundim se kushtet e përgjithshme për themelimin dhe licencim të federatave nuk ishin përmbushur sipas Ligjit dhe Udhëzimit Administrativ në fuqi, me ç’ rast regjistrimi i subjektivitetit juridik të organizatës me regjistrimet e personave përgjegjës – bartës të licencës në MKRS të vitit 2018, nuk përputheshin”, ka thënë MKRS-ja. “Kjo situatë është shkaktuar qartazi për shkak të veprimeve të kundërligjshme që kanë ndodhur në të kaluarën në menaxhimin e kësaj federate që, po ashtu, kishte prodhuar gjendje të kundërligjshme të funksionimit në FTK. Në momentin që MKRS-ja ka pranuar shkresë zyrtare në të cilat është konfirmuar se këto çështje kontestuese kjo federatë i ka tejkaluar, pra nuk ekzistonin më shkaqet e mosvazhdimit te licencës, MKRS-ja ka vazhduar licencën e përkohshme deri më 31 korrik 2022, sikurse për federatat e tjera”.
Siç përgjigjet MKRS-ja, procesi i rregullt i licencimit të federatave sportive të Kosovës nuk ka nisur ende.