Sport

Misionet e kroatit Çoriq me Llapin – të fitojë Kupën dhe të shpëtojë karrierën e tij

Marijan Çoriq është i kënaqur me paraqitjet e para në portën e Llapit, por portieri kroat premton edhe më shumë.

Çoriq është i bindur se mund të ketë paraqitje edhe më të mira nëpërmjet të cilave shpreson ta ndihmojë Llapin të arrijë synimet që i ka këtë edicion. Skuadra e Tahir Batatinës synon triumfin në Kupën e Kosovës dhe pozitë sa më të lartë në Superligë në fund të sezonit.

Portieri 26-vjeçar, i gjatë 204 centimetra, iu bashkua Llapit gjatë afatit kalimtar të janarit. Ka regjistruar dy paraqitje për llapjanët deri më tani. Çoriq ishte merituar që Llapi e eliminoi Ballkanin në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës pas penalltive, derisa pati paraqitje të mirë edhe në humbjen minimale kundër Dritës (1:0) në kampionat.

“Te Llapi kam ardhur me vetëm të një synim, të dëshmoj veten se mund të luaj në një kampionat elitar dhe deri më tani mund të them se jam i kënaqur. Megjithatë unë do ta rrit edhe në shumë nivelin tim të lojës dhe këto paraqitje janë vetëm fillimi, pasi besoj fuqishëm se do të kem paraqitje edhe më të mira në vazhdim të kampionatit”, është shprehur Çoriq për KOHËN, të martën.

“Shpresoj që me paraqitjet e mia ta ndihmoj klubin ta fitojë kupën këtë edicion, pasi kemi një ekip shumë cilësor. Gjithashtu, dua që edhe në kampionat të shkojmë sa më lart në tabelë dhe mendoj se jemi të gatshëm të dëshmojmë se jemi ekip i mirë në pranverë”.

Çoriq thotë se e ka gjetur veten te Llapi pas periudhës së vështirë që e ka pasur në karrierë gjatë viteve të fundit. Ai thotë se i ka munguar fati, por edhe fajëson menaxherët e ndryshëm që insiston se e kanë mashtruar, gjë që ka ndikuar të mos ketë ngritje në karrierë.

Çoriq për herë të parë po luan në futbollin kosovar për të cilin thotë se është i mirë dhe mund të shfrytëzohet si urë lidhëse për të siguruar një transferim diku tjetër në Evropë.

Çoriq si portier është zhvilluar te të rinjtë e ekipit kroat Istra 1961 përpara se ti bashkohej ekipit U19 të Parmas në verën e vitit 2013. Ai pas një viti arriti të promovohej në ekipin e parë të Parmas dhe firmosi kontratë afatgjate por gjërat shkuan keq për skuadrën italiane që falimentoi dhe u dërgua në kategorinë e katërt. Kështu që Çoriq u detyrua të largohet nga ekipi italian për të vazhduar karrierën te Spezia në Serie B. Por as aty nuk qëndroi gjatë për shkak të hapësirës së vogël. Më pas Çoriq u kthye te Istra por edhe prej aty u largua pas një viti për të vazhduar karrierën te disa skuadra pak të njohura si Kustosija Zagreb, Palanga, Uljanik e TEC.

Dhe kur mbeti për disa muaj pak ekip, atij papritmas i erdhi një telefonatë dhe e pyeti nëse ishte i interesuar të transferohej në një skuadër dhe kampionat për të cilin fare pak kishte dëgjuar.

“Mendoj se me paraqitje të mira në Kosovë, mund të kesh rastin të transferohesh në ndonjë skuadër evropiane. Ka pasur shumë lojtarë nga këtu që janë transferuar në ekipe të njohura evropiane dhe për mua është një mundësi e mirë, nëse dëshmohem. Kam qenë pjesë e Parmas për pesë vjet dhe më pas erdhi falimentimi që e detyroi klubin të luajë në ligën e katërt të Italisë. Pastaj kam vazhduar me Spezian dhe prej aty jam kthyer te Istra dhe në disa ekipe të vogla”, tha Çoriq. “Kam ardhur këtu të tregoj veten se mund të luaj në Superligë. Nuk kam pasur fat pasi kam pasur probleme të shumta në karrierë si dhe menaxherët më kanë mashtruar. Synimet i kam pasur të mëdha dhe tani ardhja te Llapi i ka rikthyer sërish ato”.

Portieri kroat insiston se Superliga e Kosovës do të jetë një mundësi për të kaluar sërish në ndonjë skuadër të njohur evropiane.

“Është një kampionat i vështirë me skuadra shumë të forta. Një person më kontaktoi dhe më pyeti se a jam interesuar për të luajtur në Kosovë. Isha skeptik, por në fund vendosa. Nuk e njihja ligën dhe nuk dija asgjë për të. Kur erdha u binda qe nuk kam gabuar që erdha në Kosovë, është liga e fortë dhe ekipet në përgjithësi. Në Kosovë ka cilësi dhe potencial dhe për këtë jam befasuar për të mirë”, insistoi Çoriq, i cili ka kontratë me Llapin deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. “Nuk dua të mendoj për të ardhmen pasi jam i fokusuar te Llapi këtë edicion. Nëse më vjen ndonjë ofertë e mirë dhe joshëse nuk besoj se do ta refuzoj, por edhe mund të mbetem në Kosovë edhe për një sezon”.

Çoriq te Llapi është adaptuar shumë mirë dhe thekson se të gjithë e kanë mirëpritur, jo vetëm në ekip por edhe në qytetin e Podujevës, në të cilin edhe ambientuar plotësisht. Ai kryesisht po flet gjuhën angleze dhe kroate për t’u marrë vesh, por ka filluar të mësojë edhe ndonjë fjalë shqip, të cilën ndonjëherë mund ta përdorë gjatë ndonjë ndeshjeje për t’u kuptuar sa më mirë nga bashkëlojtarët. Me ardhjen e Çoriqit, duket se skuadra e Llapit më në fund ka gjetur rehatinë në portë duke pasur parasysh se vitet e fundit janë bërë shumë ndryshime në këtë pozitë në ekipin e trajnerit Batatina.