Sport

“Minatori” s’është gati për Kosovën

Javë më parë, Federata e Basketbollit e Kosovës vendosi që dy ndeshjet parakualifikuese të Kombëtares së Kosovës, t’i organizojë në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Por, palestra buzë lumit Ibër, nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Për t’i plotësuar kriteret e FIBA-s, duhen rreth 50 mijë euro investime.

Për t’i bërë investimet e kërkuara për ndeshjet e muajit gusht kundër Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut, Komuna e Mitrovicës ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Sportit, raporton KTV.

Mujka ka theksuar se Komuna e Mitrovicës dhe klubi Trepça janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre në disa aspekte, por jo edhe financiarisht.

“Sporti në KTV” ishte i pranishëm gjatë ditës së enjte në palestrën “Minatori”.

Aty janë vërejtur se mungojnë të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga një takim-vizitë i FBK-së në palestër, e që numri i tyre është goxha i madh.

Mungon hapësira e medieve, koshat për gara ndërkombëtare, semaforët anësorë, semaforët tregues të kohës së sulmit dhe kohës së ndeshjes për garat ndërkombëtare, pajisjet ndriçuese LED për skadim të kohës së sulmit me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe, tavolina zyrtare, mbrojtësja për largimin e ekipit kundërshtar dhe disa të tjera.

Palestra nuk ka një dhomë të veçantë të doping-kontrollit, si dhe duhet të vendosen 300 ulëse VIP.

Të vetmet punë që kishin nisur të bëhen, ishin rregullimi i hapësirave të korridoreve dhe zhveshtoreve të lojtarëve.

Fillimisht, FBK-ja kishte vendosur fillimisht që ndeshjet të zhvillohen në palestrën e Rahovecit, palestër e cila u lëshua për ndeshje pak muaj më parë. Por, për shkak të dështimit në organizim gjatë ndeshjeve të “Final 4” të Kupës së Kosovës, FBK-ja anuloi vendimin për të marrë vendimin e ri që ndeshjet të luhen në palestrën “Minatori”. Por, kjo palestër nuk është ende gati dhe nuk dihet se kur do të bëhet gati për Kombëtaren.

Vonë është edhe me ndërrimin tjetër të lokacionit, meqë FBK-ja e ka caktuar tashmë “Minatorin”.

Megjithatë, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka besim që palestra do të jetë gati.

Ajo ka shtuar se nëse nuk do të ketë investime të reja, atëherë gjithçka do të improvizohet vetëm që ndeshjet të luhen në Mitrovicë.

Si nga FBK-ja, ashtu edhe nga Komuna, presin ndihmën e MKRS-së.

Por, ministri Kujtim Gashi, në përgjigjen e shkurtër për KTV-në, ka thënë se nuk ka marrë kurrfarë kërkese.

“Bashkë me Federatën jemi duke investuar në sallën “1 Tetori”. Për palestrën e Mitrovicës nuk kam ndonjë kërkesë. Në momentin që do ta kemi, do ta shqyrtojmë”, ka thënë ai.

Në “Minatori”, Kosova i pati zhvilluar kualifikimet për “Eurobasket 2017”, kundër Sllovenisë, Ukrainës dhe Bullgarisë.

Më 7 dhe 14 gusht, Kosova pritet t’i luajë edhe dy ndeshjet e fazës parakualifikuse për “Eurobasket 2021”, atë kundër Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut.