Real Madridi i ka shpëtuar humbjes nga Elche në La Ligën spanjolle.
Madrilenët kundër kundërshtarit të njëjtë patën telashe të mëdha edhe në Kupën e Mbretit ditë më parë, megjithatë, arritën ta eliminonin në fund.
Vështirësi Reali pati edhe të dielën në mbrëmje në ndeshjen që përfundoi 2:2 dhe i takoi xhiros së 22-të të La Ligës spanjolle.
Karim Benzema dështoi për herën e parë nga pika e penalltisë në La Liga në minutën e 33-të. Kishte shënuar paraprakisht në 13-të penallti që i kishte ekzekutuar.
Vizitorët ndërkohë, tre minuta para pushimit, shënuan me sulmuesin Lucas Boye dhe shkuan në pushim me epërsinë e një goli.
Rezultati u dyfishua nga vizitorët në minutën e 76-të. Realizator ishte sulmuesi tjetër Pere Millan.
Por, Reali u kthye në lojë prej minutës së 80-të dhe nuk lejoi të pësojë disfatë. Luca Modriq nga penalltia ngushtoi epërsinë fillimisht në minutën e 82-të, ndërsa qendërmbrojtësi Eder Militao realizoi me kokë në minutën e dytë të kohës shtesë.
Pas 22 ndeshjeve të luajtura, skuadra e Carlo Ancelottit prinë në tabelë me 50 pikë, kurse Elche ka 23 pikë gjithsej.