Lideri i Serie A të Italisë, Milani, të shtunën do ta vizitojë skuadrën e Salernitanas në ndeshjen që nis në orën 20:45 dhe i takon xhiros së 26-të.
“Rossonerët” janë lider me 55 pikë, një më shumë se Interi që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kundërshtari i së shtunës, Salernitana, është duke luftuar që të mbetet në elitën e futbollit italian.
Për Rafael Leaon do të jetë paraqitja e 100-të me skuadrën e Milanit.
Sulmuesi portugez ka shënuar gola vendimtarë në dy ndeshjet e fundit. Në total ka shtatë gola e katër asistime në Serie A këtë edicion.
Shtatë herë kampioni i Evropës doli në vendin e parë në xhiron e kaluar pasi shfrytëzoi barazimin e Napolit me Interin.
Interi i vendit të dytë do të luajë kundër Sassuolos të dielën nga ora 18:00. Interi hyn në këtë ndeshje pas disfatës që e pësoi në Ligën e Kampionëve nga Liverpooli, 2:0.
Napoli, që ka dy pikë më pak se lideri i tabelës, do të luajë të hënën kundër Cagliarit, nga ora 19:00.