Cili lojtar ka kontratën më të vlefshme në sporte ekipore në SHBA, në fakt kontratën më të madhe në histori të sporteve ekipore në Amerikë?
Përgjigjja automatike mund të jetë Tom Brady, organizatori i madh i skuadrës së futbollit amerikan, New England Patriots, që ka fituar gjashtë herë Super Bowlin. Apo edhe superylli i basketbollit LeBron James, që është pjesë e LA Lakers tash, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Apo edhe mund të mendosh se është snajperi i basketbollit, Stephen Curry. Lojtar i Golden State Warriors, që ka revolucionarizuar lojën me gjuajtjet e tij nga distanca.
Por, nëse keni pak njohuri për sportet në SHBA, e dini se liga e futbollit amerikan NFL dhe ajo e basketbollit NBA kanë kufizime të pagave dhe kontrata afatshkurtra, duke limituar kështu shifrat që mund të fitojnë lojtarët.
Kështu që ndoshta është ylli i bejsbollit, Bryce Harper, që së fundi ka firmosur kontratë masive me skuadrën Philadelphia Phillies. Apo Clayton Kershaw, që firmosi me LA Dodgers.
Mirëpo, të gjitha këto janë të gabuara.
Njihuni me Mike Troutin, bejsbollistin e Los Angeles Angels, që pasi firmosi një vazhdim 12-vjeçar të kontratës të rëndë 426.5 milionë dollarë (380 milionë euro) në prill, gjendet në krye për peshën e kontratës sa u përket sporteve në Amerikë të Veriut.
Derisa disa basketbollistë, si shembull edhe James, fitojnë pak më tepër për vit, Trout 27-vjeçar do të ketë një çek vjetor prej 35 milionë dollarësh (31.2 milionë euro) - të garantuar, ndryshe nga sportet e tjera - shumë kohë pasi që James, 34-vjeçar, do të largohet nga skena e basketbollit.
Edhe
Bejsbollisti Trout pranë marrëveshjes rekorde 430 milionë dollarëshe
Duke marrë parasysh performancën e Troutit në fushë gjatë nëntë vjetëve karrierë, mund të thuhet se kjo shifër e paguar për të ia vlen. Ai është lojtari më i mirë në bejsboll aktualisht dhe është rrugës së mbarë për të qenë në mesin e më të mirëve në historinë 150-vjeçare të sportit. Emri i tij do të përmendet në panteonin e legjendave të bejsbollit, përkrah Babe Ruthit, Willie Maysit dhe Ty Cobbit.
Mirëpo ai mund të ecë në një rrugë të zakonshme në SHBA dhe të mos njihet. Ai është legjendë e bejsbollit, që është paraqitur për herë të tetë këtë javë në një ndeshje të Yjve, por nuk është një person i famshëm sportiv. Në fakt, kjo është pikërisht ajo që dëshiron vetë Trout.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)