Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mick Schumacher ka synime të mëdha pas sezonit të parë në F1

Mick Schumacher nuk e mori asnjë pikë në sezonin e tij të parë në Formula 1 me skuderinë Haas, por djali i kampionit të shtatëfishtë të F1, Michaelit, ka shpresa të mëdha për vitin 2022. 22-vjeçari arriti në Formula 1 me shumë zhurmë, si kampion i Formula 2, por bolidi i tij nuk ishte konkurrues më të tjerët. Bolidi i tij është mposhtur gjatë gjithë vitit dhe skuderia e Haasit është e vetmja që përfundoi pa pikë në renditjen e konstruktorëve. Pavarësisht kësaj, Schumacher e ka vazhduar në heshtje punën e tij dhe ka marrë përvojë pa ndier fare presion për ndonjë rezultat. Mirëpo, në sezonin e ri gjërat mund të ndryshojnë shumë dhe pritjet do të jenë të mëdha prej tij.

“Kam besim të them se ndihem shumë rehat në pozitën time. Ndjehem sikur kam nxjerrë maksimumin nga bolidi për këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të jem shumë më i shpejtë dhe do të synojë pikë”, ka thënë Schumacher.

Pikat kryesore të sezonit të parë të Schumacherit në F1 përfshijnë kalimin e fazës së parë eliminatore të kualifikimeve në kushte të ndryshueshme në Turqi dhe një betejë “rrotë më rrotë” me Max Verstappenin e Red Bullit, tani kampion, në Hungari.

“Unë kam bërë gjithçka që mundem dhe e kam bërë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

“Po, kam ardhur me mbiemrin tim, por në fund kam pasur edhe rezultate. Unë kam qenë në gjendje të dëshmoj rrugën time në Formula 1. E nëse shtoj një trashëgimi apo jo, kjo varet nga karriera ime”.

I madhi i Ferrarit, Michael Schumacher, i cili nuk është parë në publik qëkur pësoi lëndime të rënda në kokë në një aksident skijimi në vitin 2013, fitoi 91 gara dhe përfundoi 155 herë në podium gjatë karrierës së tij. Lewis Hamilton i skuderisë së Mercedesit, i cili të dielën humbi titullin e tetë, që nga atëherë ka thyer shumicën e rekordeve të Schumacherit. Do të ishte joreale të pritej që Micku, një anëtar i Akademisë së Pilotëve të Ferrarit, të arrinte të njëjtat suksese si të babait të tij, në edicionin e parë në F1. Megjithatë, ai e ka shfajësuar veten mirë kundër shokut të skuderisë, rusit Nikita Mazepin.

Edhe Haasi konfirmon qëndrimin e Schumacherit Sport Haasi konfirmon qëndrimin e Schumacherit

Skuderia Haas përdor motorë Ferrari dhe vendosja e Schumacherit ka qenë gjithmonë me qëllimin përfundimtar që një ditë ai të vozisë për ekipin italian edhe nëse kjo mbetet një perspektivë e largët.

“Natyrisht historia me babin tim më lidh shumë me Ferrarin”, shtoi Schumacher për një lëvizje eventuale në Maranello. “Nëse ky është vendi ku përfundoj, atëherë nuk e di. Kjo është një pyetje e hershme. Shpresa ime është shumë, shumë e madhe për vitin e ardhshëm dhe pritshmëritë janë gjithashtu mjaft të larta”.