Sport

Mezani i vë faj gjithë ekipit për mungesë të rezultateve

Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani pranon se nuk është i kënaqur me pikët e marra në gjashtë ndeshjet e para të edicionit 2020/2021. Ai faj i vë gjithë ekipit të tij për mungesë të rezultateve.

Por, pret që shpejtë t’i kthehen fitoreve. Mezani ka folur edhe për ndeshjen derbi në mes Dritës dhe Gjilanit që të dielën përfundoi baras, 0:0.

Gjilani është në vendin e tretë me nëntë pikë në gjashtë ndeshje.

“Sigurisht se kemi pritur diçka më shumë dhe mendoj se do të kishim marrë më shumë pikë në këto gjashtë ndeshjet e para. Mënyrën se si shkoi ndeshja, rezultati ishte i saktë, por ne nuk jemi futur për një barazim, jemi futur për ta fituar fitore, por nuk arritëm të shënojmë. Një pikë na bënë mirë dhe shikojmë përpara. Ne çalojmë në repartin e sulmit. Në gjashtë javët e para të edicionit të kaluar kemi shënuar mjaftë shumë, kurse tash kemi arritur vetëm katër. Por, ndoshta nuk është faji vetëm i sulmuesve, por i gjithë ekipit që duhet ta ndihmojë fazën e sulmit. Ka shumë për t’u përmirësuar dhe shpresojmë nga ndeshja e ardhshme të fillojmë të kthehemi te fitorja”, ka thënë Mezani për Sportin Total të KTV-së.