Njihet me nofkën “Messi i Tajlandës”, por u rrit duke e shikuar dhe adhuruar Diego Armando Maradonan. Tani Chanathip Songkrasin po bën emër në Japoni, pasi iu bashkua një prej klubeve më të mëdha të Azisë. Mesfushori me tipare sulmuese dhe i gjatë 159 centimetra është një hero në Tajlandë, ku ai drejton përfaqësuesen dhe reklamon gjithçka, nga kartat e kreditit deri te pijet energjike. 28-vjeçari po bën një hap të ri në karrierë pas një transferimi në janar te kampioni në fuqi i Japonisë, Kawasaki Frontale, ekip që ka fituar titullin e J-League katër herë në pesë vjetët e fundit.
Chanathip, i njohur gjithashtu si “Jay” në vendin e tij, është i prirë t'u tregojë tifozëve tajlandezë të çmenduar pas futbollit se ai mund të përmbushë pritshmëritë e tyre.
“Futbolli është një sport që është i popullarizuar në të gjithë botën dhe është shumë popullor edhe në Tajlandë”, tha ai. “Tifozët më dhanë pseudonimin ‘Messi’ dhe ky është një nder i madh, por Messi është një lojtar me famë botërore, më i miri në botë. Nuk mund të jem si Messi, por jam i lumtur që më quajnë kështu”.
Chanathip ka lindur në Tajlandën qendrore dhe fillimisht hapat e parë në futboll i mësoi nga babai i tij, një tifoz i madh i legjendës së Argjentinës, Maradonas. Babai i tij i tregoi atij video të mesfushorit të shkëlqyer dhe e inkurajoi djalin e tij që të kopjonte trikët e tij çuditëse dhe driblimet dinamike. Chanathip bëri debutimin e tij në ligën e Tajlandës në vitin 2012 dhe pati një provë te skuadra nga Gjermania, Hamburgu përpara se të fitonte një transferim tek ekipi japonez Consadole Sapporo në vitin 2017. Ai kaloi katër vjet e gjysmë me skuadrën veriore të Japonisë, duke shënuar 15 gola në 123 ndeshje, përpara se të bashkohej me Frontalen këtë vit për një tarifë rekorde të transferimit në J-League që mendohet të jetë pak më pak se 4 milionë dollarë. Tani ai është duke tërhequr frerët e mesfushës për klubin kryesor japonez dhe ka ndihmuar Frontalen të kryesojë tabelën e J-Leagues pas vetëm dhjetë ndeshjeve në sezonin e ri.
“Unë kam qenë në gjendje të bëj disa paraqitje të mira qëkur u bashkova me Frontalen dhe të jem i sinqertë kam pasur disa momente të mira dhe disa momente të këqija”, tha ai. “Unë jam ende duke u mësuar me shokët e mi dhe loja ime mund të jetë më e mirë. Më duhet të vazhdoj të përshtatem dhe të tregoj se çfarë mund të bëj”.
Edhe
Yamal është në rrugën e duhur për t’u bërë trashëgimtari i denjë i Messit
Chanathip thotë se ai pati vështirësi kur u transferua për herë të parë në J-League, por “imagjinata dhe vizioni i tij janë zhvilluar” pas pothuajse pesë vjetësh në Japoni. Ai mendon se J-League është një nivel më i lartë se shumë liga evropiane dhe do të donte të shihte më shumë lojtarë tajlandezë të ndjekin hapat e tij duke lëvizur jashtë shtetit.
“Tingëllon si mungesë respekti të thuash se nuk mund të krahasosh ligën e Tajlandës me J-League, por në të vërtetë nuk mundesh”, tha ai. “Shumë lojtarë në J-League kanë një mentalitet profesional dhe kështu ka qenë për një kohë të gjatë. Është shumë e vështirë t'i krahasosh”.
Chanathip thotë se ai nuk është “teknikisht apo fizikisht i gatshëm” për të luajtur në Evropë, por ai ka shumë ambicie për të përmbushur në futbollin e klubeve aziatike. Kawasaki Frontale ka dominuar J-League për pesë vjetët e fundit, por ende nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve të Azisë (AFC). Ata do të përpiqen ta rregullojnë këtë edicion me fazën e grupeve që ka nisur të premten. Në xhiron e parë Kawasaki barazoi në shtëpi 1:1 kundër Ulsan Hyundai të Koresë së Jugut, ndërsa do të përballet edhe Guangzhoun e Kinës dhe Johor Darul Ta'zim të Malajzisë. Chanathip beson se Frontale, ekip që kurrë nuk e ka kaluar fazën çerekfinale të AFC-së, ka ekip mjaft të mirë për ta fituar në fund titullin aziatik.
“Kur shikoni futbollin që ne po luajmë, fitimi i trofeut është objektivi kryesor dhe mendoj se ne jemi të aftë ta bëjmë atë”, tha ai.
Edhe
Rritja e lojës së bukur të futbollit nuk njeh kufij
Chanathip do të përqendrohet te përfaqësuesja këtë verë, kur Tajlanda do të luajë ndeshjet e saj kualifikuese në muajin qershor për Kupën e Azisë të verës së ardhshme. “Elefantët e luftës” do të përballen me Uzbekistanin, Maldivet dhe Sri-Lankën në një turne dhe janë të dëshpëruar të mos humbasin, pasi nuk arritën në raundin e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2022. Chanathip është i bindur se Tajlanda do të kualifikohet në Kupën e Azisë që mbahet në Kinë vitin e ardhshëm.
“Si lojtar nëse nuk mendon se mund të kualifikohesh, atëherë gjithçka ka marrë fund”, tha ai. “Unë mendoj se ne mund ta bëjmë atë”.