Për Pep Guardiolan e paimagjinueshmja mund të ndodhë të martën - ta shohë Lionel Messin në fanellën e një ekipi që nuk është Barcelona.
Messi është rikuperuar nga një dëmtim në gju dhe pritet të kthehet për Paris Saint-Germainin kundër Manchester Cityt, në një përsëritje të gjysmëfinales së edicionit të kaluar në Ligën e Kampionëve.
Duke folur në konferencën për shtyp të hënën, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino nuk e zbuloi formacionin, por tha se ylli argjentinas është i gatshëm për të luajtur.
Messi ishte i detyruar të pauzonte për dy ndeshje radhazi në ligë pas një goditjeje në gjurin e majtë në debutimin e tij në shtëpi. Ndaj Cityt argjentinasi do të jetë kundër Guardiolas, i cili ishte trajneri i Messit në Barcelonë prej vitit 2008 deri në vitin 2012, gjatë një periudhe jashtëzakonisht të frytshme. Ndër titujt e shumtë, çifti fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2009 dhe 2011, me gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë” që shënoj në të dyja finalet.
Në total, Messi shënoi 211 gola në 219 ndeshje në të gjitha garat nën drejtimin e Guardiolas.
“Kjo ishte një surprizë për të gjithë, por ja që ka ndodhur”, tha Guardiola kur u pyet për Messin që do të luajë për një klub tjetër. “Disa vjet më parë nuk mund ta imagjinonit. Por në futboll nuk e dini kurrë. Nuk e dini se çfarë do të ndodhë në një kohë të shkurtër”.
Messi, 34 vjeç, ka luajtur vetëm në tri ndeshje për PSG-në dhe është ende duke kërkuar golin e parë pas transferimit tek ekipi francez. Përveç lojës me Lyonin ku ai u lëndua, Messi bëri një paraqitje si zëvendësues në debutimin e tij kundër Reimsit dhe ishte titullar në sulm së bashku me Kylian Mbappen dhe Neymarin në barazimin 1:1 në udhëtim te Club Brugge në ndeshjen e parë të grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Lëreni lojtarin të punojë, lëreni lojtarin të përshtatet dhe të fillojë të ndihet si në shtëpi”, tha Pochettino. “Ai ishte në Barcelonë për 20 vjet. Është normale që ai të ndihet si në shtëpi në Barcelonë. Tani gjithçka është e re. Me siguri ai do të ketë sukses”.
Me Messin të gatshëm, Pochettino mund të ketë në dispozicion ndaj Cityt treshen e tij sulmuese. Edhe pse treshja nuk bëri përshtypje kundër Brugge, Guardiola tha se nuk ka një recetë për t'i ndaluar yjet parisienë.
“Ata janë kaq të mirë. Kjo sasi talenti, së bashku, është kaq e vështirë për t’u ndalur”, pranoi Guardiola. “Ne do të përpiqemi të mbrohemi mirë kur nuk e kemi topin dhe t'i bëjmë ata të vrapojnë kur ne e kemi topin”.
City fitoi 2:1 në Paris dhe 2:0 në shtëpi, në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar. Skuadra e Cityt është e pamposhtur në pesë ndeshjet ndaj PSG-së, por Guardiola hodhi poshtë çdo ide që lojtarët e tij do ta fillojnë ndeshjen e së martës mbrëma me një avantazh psikologjik.
“Besimi nuk ka të bëjë me atë që ne i mposhtëm ata sezonin e kaluar”, insistoi ai. “Ky është një sezon i ri, një sfidë e re”.
Pas fitores 6-3 kundër Leipzigut, City kryeson në Grupin A me tre pikë, dy më shumë se PSG-ja dhe Brugge.