Admir Mehmedi është i pari prej futbollistëve shqiptarë që është kthyer në stërvitje të përbashkëta me skuadër, pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit.
Wolfsburgu i Bundesligës gjermane është bërë klubi i parë në top-pesë ligat evropiane të futbollit që është kthyer në stërvitje. Wolfsburgu vazhdoj stërvitjet të hënën.
Nuk bëhet fjalë për stërvitje të zakonshme me dhjetëra lojtarë, por për stërvitje të veçanta, në grupe fare të vogla. Të hënën lojtarët e Wolsfsburgut kanë stërvitur vetëm në ambient të brendshëm, kryesisht në biçikletë, por të martën kanë dalë edhe në fushë.
Reprezentuesi i Zvicrës, Mehmedi, ka treguar se si lojtarët janë ndjerë çuditshëm kur u kthyen në stërvitje të hënën.
“Jemi ndjerë sikur po kthehemi nga pushimi dimëror. Vetëm që pushimi dimëror është dashur të bëhet në Wolfsburg. Çdo gjë duket disi çuditshëm. Çdo gjë është e pazakontë”, ka thënë Mehmedi për Bild, raporton Koha.net.
Ai është pjesë e grupit I stërvitor së bashku me katër lojtarë të tjerë.
“Dezinfektuesit duket se janë vendosur çdo dhjetë metra. Puna jonë është të qëndrojmë të gatshëm. Nuk mund të kthehemi në ndeshje nëse jemi mbipeshë. Duhet të sigurohemi që të jemi të përgatitur dhe në ritëm”, ka thënë sulmuesi Mehmedi.