Nëse për bazë merren sukseset e arritura, Sami Buzolli është pa asnjë dyshim njëri prej boksierëve më të mirë që ka pasur Kosova. Dy medaljet e argjendta evropiane dhe medalja e bronztë botërore, i sigurojnë Buzollit vend në mesin e legjendave kosovare të ringut.
Buzolli sukseset kulmore i ka arritur katër dekada më parë dhe për të megjithatë nuk dihet shumë. Ai nuk është fare i ekspozuar, ndërsa për karrierën e madhe ka vendosur që të flasë për KTV-në. Thotë se është intervista e parë për një televizion qëkur i ka dhënë fund karrierës si boksier, në pjesën e dytë të viteve tetëdhjeta.
Buzolli 62-vjeçar, jeton në Itali. Boksin e përcjell por nuk është pjesë e tij. Çdo verë vjen për pushime në Prishtinë, ndërsa këtë muaj ditët kryesisht i ka kaluar në shoqëri me shokët e boksit. Me anëtarët e gjeneratës së artë të Prishtinës.
Buzolli po ashtu ishte pjesë e gjeneratës së artë të klubit prishtinas, që kishte dominuar në ligën e dikurshme federative. Por ka edhe suksese të mëdha individuale. Ka përfaqësuar Jugosllavinë në Botërorin e dytë të boksit amator, të mbajtur në vitin 1978. Ishte ndalur në çerekfinale nga keniani Stephen Muchoki, që më pas u shpall kampion në kategorinë deri 48 kilogramë.
Në Tampere të Finlandës në vitin 1981, fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian. Në finale të kategorisë deri 54 kilogramë u mposht nga Viktor Miroshnichenko i Bashkimit Sovjetik.
Në Kampionatin Botëror të vitit 1982, fitoi medaljen e bronztë në kategorinë bantam, përkatësisht deri në 54 kilogramë. Në gjysmëfinale, me rezultatin 3:2, e mposhti amerikani Floyd Favors që më pas fitoi të artën. Ai Botëror ishte mbajtur në Munih të Gjermanisë.
Tjetër medalje të rëndësishme, Buzolli fitoi në Evropianin 1983. Në finale të kategorisë bantam e mposhti Yuri Alexandrov i Bashkimit Sovjetik. Pra Buzolli sërish fitoi medalje të argjendtë evropiane.
Ai po ashtu ka ndihmuar Prishtinën që të fitojë tre prej pesë titujve të Jugosllavisë.
“Me boks kam filluar në vitin 1974, si 14-vjeçar. Kam qenë i disiplinuar, punëtor. E kam gjetur veten në boks dhe kam menduar se këtu mund të bëjë shumë. Prej viti 1974 e deri në 1986-87 kam qenë te Prishtina. Tërë kohën isha te Prishtina, deri në fund të karrierës, edhe pse kam pasur oferta prej të gjitha ekipeve, përfshirë edhe nga Beogradi. Por nuk më ka interesuar asnjëra”, ka thënë Buzolli në fillim të bisedës.
Ai e vlerëson shumë lartë Prishtinën e atëhershme.
“Të jesh anëtar i Prishtinës në atë kohë ishte sikur të ishe anëtar i përfaqësueses së Kubës apo Rusisë. Ata vet na thoshin që menjëherë pas tyre renditej reprezentacioni i Jugosllavisë”, thotë Buzolli, që karrierën e nisi në kategorinë deri 48 kilogramë. Ka boksuar më pas në kategorinë deri 51 kilogramë, ndërsa kulmin e ka arritur në atë deri 54 kg. Ndërkohë në fund ka garuar edhe në kategorinë deri 57 kg.
Për Buzollin është e veçantë që ka depërtuar në përfaqësuese në kohën kur ende nuk kishte vend te Prishtina.
“Unë kam filluar me 17 vjet në reprezentacionin e ish-Jugosllavisë. Kam boksuar në reprezentacion, ndërsa në ekipin e Prishtinës nuk kam pasur vend. Dua të them që aq konkurrenca e fortë ishte te Prishtina. Aty nuk e kam gjetur veten, ndërsa e kam gjetur veten të boksoj në Botëror. Kur jam kthyer prej Botërorit të vitit 1978, tani kam qenë i rregullt te Prishtina”, thekson Buzolli.
Suksesi që kishte arritur Mehmet Bogujevci në Botërorin 1978 dhe shpërblimet që i ndaheshin atij pas kthimit në Kosovë, kishin motivuar Buzollin që të përkushtohet më shumë. Bogujevci kishte fituar medalje të argjendtë.
Shpërthimin në skenën ndërkombëtare, Sami Buzolli e kishte në Evropianin e vitit 1981. Buzolli në finale u paraqit më 10 maj, kur e kishte edhe ditëlindjen. Por nuk i është kujtuar që e ka ditëlindjen.
Gjatë përgatitjeve për Botëror ishte larguar nga përfaqësuesja, në kohën kur në Kosovë po mbaheshin demonstratat e studentëve. Por me insistimin e trajnerit legjendar të Prishtinës, Lah Nimani, ishte kthyer në Beograd dhe kishte vazhduar përgatitjet me reprezentacionin e Jugosllavisë.
“Në Tampere të Finlandës në vitin 1981 ishim së bashku me Aziz Salihun. Deri në finale kam arritur. Evropiani u mbajt kur ishin demonstratat e studentëve. Ishim në përgatitje dhe na ngacmonin e na provokonin. Kur u ktheva, Lah Nimani më tha që duhet të kthehem në reprezentacion. Pata telashe kur u ktheva, më thoshin pse kam ikur, a kam pasur armë e gjëra të tilla. Në fund e kisha konkurrentin në reprezentacion dhe vendosëm të shkojmë në ring. Cili të ishte më i mirë të shkonte në Evropian. Unë isha më i mirë dhe shkova në Evropian ku fitova medalje. Në Evropian i kam pasur katër meçe, tri i kam fituar. Në finale kam humbur nga një rus. Isha shumë i kënaqur me vendin e dytë”, kujton Buzolli.
Për Botërorin 1982, thotë se boksieri amerikan që e ndali në gjysmëfinale ishte dukshëm më i mirë.
“Në Evropianin e vitit 1983, në Varne të Bullgarisë, prapë arrita deri në finale. Kam humbur sërish nga një rus. Edhe ky ishte një sukses i madh, sepse të jesh i dyti në Evropë është gjë e rëndësishme”, thotë Buzolli.
Ai në vitin 2016 ka pasur sulm në tru, të cilit i ka mbijetuar. Deri atëherë ishte aktiv, ndërsa më nuk merret me sport, përkatësisht me ushtrime fizike. Edhe vendin e punës ia kanë përshtatur që të ketë fare pak aktivitet fizik.
Në fillim të karrierës, Buzolli jo gjithnjë ka qenë i vendosur që të qëndrojë në boks.
“Trajneri e sheh talentin, ai që kupton në sport. Unë në fillim jam larguar disa herë nga boksi. Por trajneri më kërkonte dhe më joshte duke më thënë se më ka blerë gjëra të ndryshme. Aty e kam parë që ai e ka seriozisht dhe e kam kuptuar se kam talent. Kam boksuar deri në vitin 86-87. Prej atëherë isha rezervë, për siguri. Lah Nimani më thoshte se është me rëndësi të më shohin kundërshtarët që të frikësohen, por edhe për t’ia lehtësuar punën atij që boksonte në vendin tim. Ishin Mërgim Shala e Ilmi Hyseni. Pastaj trajneri e pa që jam lodhur dhe më dërgoi te Shefki Bogujevci si trajner. Për gjashtë vjet isha trajner aty. Edhe prej Shefkiut kam mësuar shumë”, ka theksuar Buzolli.
Ai nga Kosova është larguar pasi nisën bombardimet e NATO-s. Fillimisht ka jetuar në Gjermani e më pas u stabilizua në Itali.
Buzolli tregon se gjithnjë ishte si tip më i mbyllur, ndërsa thotë se sukseset e tij flasin vet.
“Jam i kënaqur me karrierën time. Kam mundur edhe më shumë. Kam pasur oferta të shumta nga Beogradi, Rijeka, Banjalluka. Por kurrë nuk më ka shkuar mendja të largohem nga Prishtina pasi i kam pasur të gjitha kushtet. Te Prishtina e kam nisur dhe e kam përfunduar karrierën”, thotë Buzolli.
VIDEO:
Ai nuk është i kënaqur me gjendjen aktuale në boksin kosovar. Thotë se të gjithë vrapojnë pas posteve dhe se pak punohet me boksierët.
Ai gjithashtu thekson se gjenerata e artë e Prishtinës nuk vlerësohet sa duhet.
“Për shembull Xhevdet Peci ishte vula e pesë titujve të Prishtinës. I ndjeri nuk e ka merituar të mbetet me një pension prej 120 eurosh. Ka mundur të ketë një pension më të dinjitetshëm”, thekson Buzolli.
Në bazë të sukseseve që i kishte, përkatësisht medaljeve në Botëror e Evropiane, Buzollit i takon pensioni për të arritura sportive. Thotë se vendimi për t’ia ndarë pensionin është marrë, por paratë nuk po i dalin ende.
“Nuk e gëzoj pensionin në bazë të sukseseve. Sa herë vij në Prishtinë, tashmë 4-5 vjet, më thonë se kur të vij herën tjetër, i kam paratë në bankë. Ka tre vjet që vendimi është në fuqi. Shkova dje në bankë dhe nuk pata asgjë. Shkova në ministri dhe më thanë që të mos brengosem, sepse paratë janë të miat. Por ato nuk më kanë dalë”, thekson Buzolli.
Kusht për gëzimin e pensionit për të arritura sportive është që të mos përfitohet për ato rezultate nga një vend tjetër. Pra që sukseset në karrierë të deklarohet se i takojnë Kosovës.
Buzolli mohon që të jetë duke gëzuar pension për sukseset sportive nga ndonjë vend tjetër.
“Nuk marr pension nga asnjë shtet tjetër. Edhe pse sa herë kam ardhur, më kanë thënë nga Serbia se vetëm një nënshkrim dhe do t’i marr 1200 euro në muaj. Por jo, nuk dua. Sepse nëse firmos, e pranoj Serbinë. Unë jam kosovar dhe dua që pensionin ta marr në Kosovë. Momentalisht vetëm më endin nga MKRS te Federata, te drejtori i Departamentit të Sportit. Ka mbetur të shihet ditëve të ardhshme që të dihet çka është bërë me ato para”, thotë Buzolli.
Ai ka pasur rezultate edhe në gara të tjera, si kampionatet e Jugosllavisë dhe ato ballkanike. Por suksesi në Botëror dhe në dy Evropianët, e po ashtu titujt me Prishtinën, e bëjnë prej më të mirëve që i ka pasur Kosova ndonjëherë në sportin e ringut.
