Feronikeli më në fund i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, që nis me 19 gusht.
Në mungesë të trajnerit, seancën e parë stërvitore, e ka drejtuar trajneri Ramiz Dervishi, i cili në xhirot e fundit të kampionatit të fundit, ishte në krye të ekipit pas largimit të Afrim Tovërlanit.
Në grumbullimin e parë, u panë disa ndryshime te skuadra nga Drenasi, pas largimit të, Fidan Gërbeshit, Ardian Limanit, Mevlan Zekës, Blerand Kurtishajt dhe Flamur Nezirit.
Drejtori i klubit, Artan Berisha, ka zbuluar për Sportin në KTV, arsyen e largimeve të shumta si dhe ka paralajmëruar edhe ardhje të reja.
Sa i përket trajnerit të ri dhe mungesës së disa lojtarëve në stërvitjen e parë, ai ka deklaruar se brenda javës do të definohet çdo gjë.
Berisha e ka konfirmuar se klubi nuk është në gjendje të keqe financiare.
Behar Maliqi dhe Mark Milicaj, janë dy futbollistët që të hënën i kanë vazhduar kontratat edhe për një vit. Të dy treguan arsyen që i shtynë të qëndrojnë edhe për një vit në Drenas.
Transferimi i vetëm i Feronikelit deri me tani, është Qemail Elshani, i cili është rikthyer në klubin ku është rritur.
Në seancën e parë, mungoi mesfushori Mentor Zhdrella, që është pa kontratë dhe e ardhmja e tij mbetet e paqartë si dhe Mendurim Hoti, Burim Qorri dhe Haxhi Shala. I pranishëm por që nuk ka stërvitur me ekipin, ishte edhe Bujar Shabani, i cili ka kontratë me “Niklin”, por e ardhmja e tij në këtë skuadër mbetet e pasigurt.