Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica është kthyer në mënyrën më të mirë të mundshme te Norwichi pas lëndimit që e mbajti për një muaj jashtë fushës. Rashica ka shënuar golin e vetëm në fitoren e Norwichit ndaj Charltonit në kuadër të 1/32 të finales në kuadër të Kupës FA.
Ndeshja e luajtur të dielën ka përfunduar me rezultatin 1:0 kurse Rashica ka realizuar golin në minutën e 80-të. Ai shënoi nga afërsia pas asistimit të finlandezit Temmu Pukki që depërtoi nga krahu i djathtë.
Rashica u kthye në këtë ndeshje pas lëndimit në ijë dhe u inkuadrua në minutën e 46-të. Për Rashicën, ky është goli i parë me fanellën e Norwichit në 15 ndeshje të luajtura në të gjitha garat ku ka edhe një asistim.