Llapi po kalon momente jo të mira në edicionin 2020/2021 të Superligës së Kosovës në futboll. Në pesë ndeshje, sa i ka luajtur ekipi nga Podujeva, nuk e ka shënuar asnjë fitore. Katër disfata, prej tyre tri në shtëpi, në arenën që dikur ishte e pamposhtur, “Zahir Pajaziti”, janë rezultatet e Llapit i cili e ka arritur edhe një barazim me Prishtinën në “Fadil Vokrri”.
Ajo që bie në sy është edhe mosefikasiteti i repartit të sulmit. Në pesë ndeshje, futbollistët e Llapit e kanë shënuar vetëm një gol ndaj Ballkanit, ndërkaq kanë pranuar gjashtë. Arbnor Ramadani ka realizuar golin e vetëm deri më tani.
Por, pavarësisht startit më të dobët që nga rikthimi në Superligë, para pesë vjetësh, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, beson se do t’u rikthehen rezultateve pozitive shumë shpejt. Ai e pohon për “KOHËN” krizën nëpër të cilën po kalon ekipi që drejton, megjithatë ka besim të madh te lojtarët që ka në skuadër, pasi të gjithë i kishte sjellë vetë në ekip.
“Edhe pse nuk kemi rezultate të mira në këtë fillim të kampionatit, jemi të qetë sepse e kuptojmë krizën në futboll dhe shpresojë shpejt do t’u kthehemi rezultateve pozitive. Kam besim në skuadrën dhe në këta djem, që këto sfida do t’i tejkalojmë së bashku dhe do të kthehemi te rezultatet pozitive”, ka deklaruar Batatina.