Real Madridi do ta sulmojë Atalantan në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të mërkurën në Itali. Madrilenët do të luajnë për fitore pavarësisht se kanë humbur gati gjysmën e ekipit për shkak të dëmtimeve të lojtarëve. Mungesat e shumta i ka konfirmuar trajneri i ekipit nga La Liga, Zinedine Zidane, në konferencën për shtyp të mbajtur të martën.
Dueli mes Atalantas dhe Realit zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00.
Realit i mungojnë nëntë lojtarë të ekipit të parë, përfshirë kapitenin Sergio Ramos, transferimin rekord Eden Hazard dhe shënuesin më të mirë, Karim Benzema. Përkundër këtyre mungesave, Reali ka pasur sukses në ligë pasi ka triumfuar në katër ndeshjet e fundit dhe Zidane beson në fitore edhe për duelin e parë ndaj Atalantas.
“Ne jemi duke u përqendruar në lojtarët që i kemi në dispozicion për ndeshjen me Atalantan, të cilën do të përpiqemi ta fitojmë. Ne gjithmonë dalim në fushë për të fituar dhe kurrë nuk pranojmë asnjë rezultat tjetër”, insistoi Zidane. “E kemi parasysh se janë dy ndeshje me Atalantan por jemi të fokusuar në ndeshjen e parë, në të cilën synojmë t’i japim fund çështjes së fituesit. Ne duam të vazhdojmë formën tonë të mirë në kampionat edhe në Champions, edhe pse e dimë se sa e vështirë do të jetë ndeshja. Jemi të përqendruar dhe të përkushtuar për të pasur një paraqitje të mirë që do të na mundësoj fitoren kundër një ekipi të papërshtatshëm”.
Kur u pyet për lëndimet e shumta në ekip, trajneri Zidane nuk e pati asnjë shpjegim të arsyeshëm në lidhje me këtë situatë. Madje edhe tekniku francez ka pranuar se është i habitur me gjërat që po i përjeton Reali këtë edicion.
Edhe
Tek Arsenali e Atletico të përkushtuar për kualifikim në finalen e madhe
“Ne nuk kishim kampanjë para fillimit të sezonit sikurse çdo ekip tjetër, por askush nuk ka pasur më shumë mungesa për shkak të lëndimeve. Jemi pajtuar me këtë situatë dhe do të shfrytëzojmë vetëm ata që i kemi në dispozicion. Kam besim në ekipin tim”, shtoi Zidane.
Real Madridi nuk ka arritur të kalojë 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve që prej vitit 2018 kur e fitoi këtë garë. Edicionin e kaluar në këtë fazë u eliminua nga Manchester City, kurse një vit më herët nga skuadra e Ajaxit.
Zidane e krahasoi Atalantan e trajnerit Gian Piero Gasperini me Ajaxin që para dy vjetësh arriti deri në gjysmëfinale të garës elitare, duke shtuar se italianët kanë një ekip shumë sulmues dhe fizikisht mirë të përgatitur.
“Gasperini ishte trajneri i të rinjve të Juventusit kur unë luaja për të dhe ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Unë e dua si trajner. Puna e tij e mirë po vërehet te Atalanta”, shtoi francezi.
Ndërkohë, Gasperini insistoi se Atalanta nuk mund ta humbas identitetin e saj kur të përballet me Real Madridin në shtëpi. Tekniku italian gjithashtu shtoi se Reali aspak nuk mund të konsiderohet si kundërshtar i dobët për shkak të lëndimeve të shumta që i ka. Ka pranuar se bëhet fjalë për ekipin më të trofeshëm të kësaj gare. Reali për këtë ndeshje ka vetëm 11 lojtarë seniorë kurse pjesën tjetër i ka marrë nga ekipi i të rinjve. Atalanta që arriti në çerekfinale edicionin e shkuar kur debutoi në këtë garë, është e njohur për stilin e lojës sulmuese dhe Gasperini insistoi se skuadra e tij nuk do të ndërroj qasje as ndaj madrilenëve.
Edhe
Atletico e Arsenali vlerësojnë gjysmëfinalen, por duan finalen e madhe
“Ne nuk mund të shtrembërojmë karakteristikat tona, falë të cilave arritëm në Ligën e Kampionëve dhe jemi ekip konkurrent në Itali. Ne duam të sfidojmë ekipet më të mira dhe kjo është një mundësi e artë për ne pasi jemi në gjendjen e duhur për të pasur një paraqitje fantastike”, ka thënë Gasperini.
“Rezultati ideal do të ishte fitorja, por duhet të jemi të kujdesshëm. Ne do të kemi përballë një ekip vigjilent dhe të përqendruar, pavarësisht mungesave që ka”, ka thënë Gasperini.
Të mërkurën prej orës 21:00 luhet edhe ndeshja tjetër e 1/8 së finales e Championsit, në të cilën do të përballen Borussia Moenchengladbachu dhe Manchester City. Kjo ndeshje do të luhet në Hungari, saktësisht në stadiumin “Puskas Arena”, për shkak të masave të rrepta të Gjermanisë ndaj koronavirusit.
E mërkurë (21:00)
Edhe
Madrilenët para një misioni të vështirë
Atalanta – Real Madrid
Borussia M. – Man. City