Sigal Prishtina ka bërë hap vendimtar për të siguruar ekzistencën në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtina të dielën në Gjakovë fitoi me shifrat 79:76 ndaj Vëllaznimit. Ishte ndeshje vendimtare në garën për ekzistencë në elitën e basketbollit kosovar.
Ndeshja ishte dramatike dhe me shumë ndryshime në rezultat. Vetëm në aksionet e fundit Prishtina siguroi fitoren, falë basketbollistëve amerikanë që i ka në përbërje. Edhe te Vëllaznimi dominuan lojtarët e huaj.
Një xhiro para fundit, Vëllaznimi është në vend të tetë (të fundit) me 36 pikë. Sigal Prishtina është e shtata (parafundit) me 37 pikë. Trepça në vend të pestë e Bashkimi në të gjashtin i kanë nga 38 pikë.
Në xhiron e fundit takohen Sigal Prishtina me Bashkimin, Peja me Vëllaznimin, Rahoveci me Golden Eagle Yllin dhe Ponte Prizreni me Trepçën.
Me gjithë fitoren e madhe të Prishtinës, gara për të mbetur në ligë, përkatësisht për plejof e plejaut, është e hapur. Janë disa skenarë të mundshme.
Me fitore të Sigal Prishtinës ndaj Bashkimit, Prishtina luan në plejof dhe Bashkimi rrezikon të mbetet jashtë plejofit, përkatësisht të bjerë në vendin e shtatë. Por nëse Prishtina humb nga Bashkimi dhe Vëllaznimi fiton ndaj Pejës, atëherë Prishtina mbetet e fundit dhe rrjedhimisht largohet nga Superliga. Pra Vëllaznimit i duhet vetëm fitorja në Pejë dhe të shpresojë që Prishtina të pësojë në shtëpi nga Bashkimi. Vetëm kështu ekipi gjakovar e shmang rënien direkte.
“Nuk e kemi fatin në duart tona dhe gjasat i kemi shumë të vogla për të ikur nga pozita e fundit. Por derisa të ekzistojë mundësia, ne do të besojmë. Ne duhet të fitojmë në Pejë dhe Prishtina të pësojë që t’i dalim para. Sot kemi luftuar, por kemi gjuajtur dobët. Kanë vendosur detajet, kemi humbur shumë gjuajtje në fund dhe kjo vendosi. Ndeshja vendoste shumë për të dyja palët, por në fund u fitua nga Prishtina”, ka thënë trajneri i Vëllaznimit, Branimir Paviq.
Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, ka theksuar se në garë për të mbetur në plejaut është e përfshirë edhe Trepça.
“Duhet të përgatitemi kundër Bashkimit, ndeshje që e luajmë të dielën. Nëse fitojmë me më shumë se 8 pikë dallim, do të kualifikohemi në plejof. Apo nëse Trepça humb kundër Ponte Prizrenit, dhe ne fitojmë vetëm me një pikë kundër Bashkimit, ne prapë jemi në plejof. Fitorja ka qenë shumë e rëndësishme. E dimë që Vëllaznimi ka ekip të mirë”, ka theksuar Azemi.
Gjashtë skuadrat e para në tabelë luajnë në plejof. Vendin e parë e ka siguruar Ponte Prizreni. Golden Eagle Ylli e Rahoveci i kanë nga 44 pikë dhe përballja direkte vendos për vendin e dytë. Peja është e katërta me 41 pikë dhe prej kësaj pozite do të startojë në plejof.