Luka Modriq është duke u përgatitur me Kroacinë për gjysmëfinalen ndaj Argjentinës sonte në Kupën e Botës. Para ndeshjes, bashkëpunëtori i tij, Simon Bastiansen, një ekspert i brendeve, që ka punuar me Modriqin që nga Kupa e Botës në Rusi më 2018, ka treguar se atë kohë Modriqi u kishte blerë 25 ora si dhuratë bashkëlojtarëve te Kroacia.
“Sapo kishte fituar Topin e Artë, në të njëjtin vit që fitoi Ligën e Kampionëve dhe të argjendtën në Kupën e Botës dhe u shpall lojtari më i mirë i garës, por kur e takova, e kuptova se është superylli sportiv më i sjellshëm që kam parë ndonjëherë”, ka thënë Bastiansen për mediat daneze.
Bastiansen ka treguar se më vonë ishin takuar në Zagreb dhe se ishte mbetur i shtangur nga veprimi që Modriqi kishte bërë për shokët e klubit dhe kombëtares.
“U ulëm për një pije dhe shikoi orën e tij. Në fakt, unë e shikoja shumë dhe i thash që po bartte një orë shumë të mirë. Më falënderoi me mirësjellje. Ishte orë speciale. Më pas më tregoi se ia ka blerë atë orë vetes pasi fitoi Topin e Artë, por po ashtu se ua ka blerë 25 bashkëlojtarëve te Real Madridi dhe 25 për bashkëlojtarët te kombëtarja kroate. Ai s’u kishte blerë vetëm bashkëlojtarëve, por edhe shoferëve të autobusëve, doktorëve, fizioterapeutëve e asistentëve”, ka shpjeguar Bastiansen që ka thënë se bëhej fjalë për një orë “Daytona Rolex”, që kushtonte 40 mijë euro.
Pra në total, Modriqi shpenzoi dy milionë euro si dhurata për më të afërmit e tij në kombëtare e klub.