Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj u shpreh sot se Kombëtarja shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme, dhe në ndeshjet e ardhshme do të shihet nëse janë pozitive.
“Ka ndryshime të rëndësishme. Më duhet pak kohë t’i analizoj këto ndryshime dhe akoma nuk mund të jap një mendim, si ka ndryshuar për mirë apo keq. Gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte grupi i madh. Kur u futa nuk e gjeta ulësen time. Para ndeshjes me Skocinë kemi qenë të fokusuar. Tani kemi ardhur nga kampionati. Disa lojtarë kanë probleme. Akoma nuk e kemi përqendrimin. Me udhëtimin fokusi do të jetë më ndryshe”, tha Mavraj, transmeton ATSH.
I pyetur për trajnerin Reja, Mavraj tha se duket simpatik dhe i qetë.
“Është si babai jonë. Është i buzëqeshur dhe i sjellshëm, nga ana taktike nuk e vlerësoj dot ende”, u shpreh ai.
I pyetur për të ardhmen e tij, Mavraj tha se do të jem maksimalisht i fokusuar dhe i motivuar.
“Ku do të luaj nuk është vetëm në dorën tonë. E ndjej veten mirë dhe do të gjejmë zgjidhjen e duhur. Nuk ka qenë vetëm dështim. Erdha në janar te ekipi ku jam dhe duke pasur parasysh këto 6 muajt e mia, nuk ka qenë një vit jo i pasuksesshëm pavarësisht rënies nga kategoria. Kanë ndodhur shumë gjëra, por për mua ka rëndësi që i dola zot kësaj situate. E kalova këtë fazë me vetëbesim”, u shpreh Mavraj.
Në lidhje me rikthimin e Shqipërisë, Mavraj tha se Liga e Kombeve eci keq dhe se askush s’kanë qenë të kënaqur me paraqitjet tona.
“Po u përmirësuam nga loja do të vijnë edhe rezultatet. Ka pasur shumë ndryshime kohët e fundit. Duhet të afrohemi edhe më shumë njëri me tjetrin. Rezultatin vlen në futboll, nuk e kemi pasur, por i kemi cilësitë. Është momenti i duhur për të lënë të kaluarën pas. Do të kemi një shans të vërtetë”, tha Mavraj.
Sa i përket sfidës me Islandën, Mavraj tha se, “edhe në kohën e Canës, ka qenë ekip homogjen, i fortë, 11 luftëtarë. Grupi si grup e ka përgjegjësinë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Tani që nuk do të jem në fushë, këtë ndeshje, do t”u jap vetëbesim. Do të na shërbejë të gjithëve për të ardhmen. Çdo ekip i suksesshëm ka 11 liderë, nuk është vetëm 1”.