Dallas Mavericks e ka mposhtur Los Angeles Clippersin 113-103, për ta udhëhequr serinë (1:0) në ndeshjet e 1/8-ave të plejofit në NBA.
Pavarësisht që Clippers ishin favorit në letër, forma fantastike që patën basketbollistët mysafirë u shpërblye me një fitore në fund.
Basketbollistët më të dalluar te Mavericks ishin Luka Doncic, i cili realizoi triple-double, me 31 pikë, 10 kërcime dhe 11 asistime, dhe Hardaway me 21 pikë. Te Clippers, dyshja Leonard-George realizuan 26 përkatësisht 23 pikë.
Ndërkohë, Brookly Nets arritën të triumfonin në ndeshjen e parë me Boston Celtics, pavarësisht startit jo të mirë.
Nets në fund fituan me rezultat 104-93, teksa Kevin Durant me 32 pikë, Kyrie Irving me 20 e James Harden me 21 ishin jetik për fitoren. Te Celtics, basketbollisti më i dalluar ishte Jason Tatum me 22 pikë.
Mungesa e Jamal Murray te Denver Nuggets lejoi që Portland Trail Blazers të shkaktonin befasi në ndeshjen e parë të plejofit mes tyre.
Blazersat triumfuan me rezultat 123-109 në fund, me Damian Lillard i cili realizoi 34 pikë e 13 asistime. Numër të njëjtë të pikëve kishte edhe Nikola Jokic te Nuggetsat.