Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus është kampion i Bundesligës, fitues i Kupës së Botës, fitues i Topit të Artë, ekspert televiziv - dhe tani pronar i klubit të futbollit pasi bleu skuadrën e Premier Ligës të Ganës, Accra Lions.
Së bashku me partnerët e biznesit Oliver Konig, një ish-agjent gjerman i lojtarëve dhe ish-futbollistin ganez Frank Acheampong, Matthaus dëshiron të zhvillojë lojtarët e talentuar në Afrikën Perëndimore dhe të hapë një rrugë drejt Evropës për ta.
“Sigurisht që është një model biznesi”, ka thënë 62-vjeçari për “Bild”. “Gana ka pasur gjithmonë potencial të madh për sa i përket talentit, dhe këtë mund ta shihni në përfaqësuese”.
I themeluar në vitin 2015 dhe aktualisht nqëpozitën e nëntë në elitën e futbollit të Ganës, Accra Lions vlerësohet në 2 milionë dollarë, ndonëse detajet e investimit personal të Matthausit nuk janë bërë të ditura.
“Ne duam të sjellim lojtarë të rinj në Evropë në një mënyrë serioze dhe të stërvitur mirë”, ka thënë ish-ylli i Bayern Munichut.