Gjysmëfinalisti i Ligës së Kampionëve në vitin 2020, RB Leipzigu, po lufton nën drejtimin e trajnerit amerikan, Jesse Marsch, për të ruajtur formën që e çoi pranë majës së futbollit evropian. Leipzigu e pret Paris Saint-Germainin të mërkurën në një përsëritje të gjysmëfinales së vitit të shkuar të fituar nga ekipi francez, që gjithashtu mposhti gjermanët në Paris dy javë më parë.
Marsch 47-vjeçar, zëvendësoi Julian Nagelsmannin, i cili u largua për t'u bashkuar me Bayern Munichun pas sezonit të kaluar. Pavarësisht se e drejtoi klubin simotër Red Bull Salzburgun, me te cilin fitoi dy tituj kampioni dhe dy kupa të Austrisë në secilin nga dy sezonet e fundit, Marsch ka pasur rezultate të frustruara këtë sezon me Salzburgun, që ka treguar një formë jostabile.
“Natyrisht, ne kishim imagjinuar një fillim shumë ndryshe të këtij edicioni”, pranoi presidenti i Leipzigut, Oliver Mintzlaff, i cili ka mbështetur trajnerin Marsch për të qëndruar në krye të ekipit pas tri humbjeve në Champions. “Ne ishim të vetëdijshëm se do të duhej pak kohë pas kaq shumë ndryshimeve që i kemi bërë si në ekip, ashtu edhe në stafin stërvitor”.
Barazimi 1:1 i së shtunës të shkuar në udhëtim ndaj Eintracht, Frankfurtit bëri që Leipzigu të humbiste vendin e katërt në Bundesligë, pasi pranoi golin e barazimit në fund të ndeshjes.
“Ishte çmenduri, ne kishim gjithçka nën kontroll, por sulmuesit humbën shumë raste dhe ne bëmë shumë gabime”, tha Marsch.
Vlerësimi i tij për ndeshjen e së shtunës mund të përmbledhë gjithashtu sezonin e Leipzigut. I themeluar në vitin 2009 dhe i mbështetur nga “xhepat e thellë” të gjigantit austriak të pijeve “Red Bull”, RB Leipzigu fluturoi përmes piramidës së futbollit gjerman për të arritur në Bundesligë në sezonin 2016/17.
Në vend që të nënshkruante emra të mëdhenj, rekrutimi mendjemprehtë solli Timo Wernerin, përpara se ai të largohej për t'u bashkuar me Chelsean, Yussuf Poulsenin, Emil Forsbergun dhe Peter Gulacsin.
Megjithatë, jashtë Saksonisë, RB Leipzigu nuk pëlqehet fare nga tifozët gjermanë. Po ashtu, edhe kritikët e akuzojnë “Red Bullin” për prodhimin e një klubi për të promovuar produktet e tij. Shefi ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, e ka akuzuar RB Leipzigun se ekziston vetëm për të shitur kanaçe me pije energjike. Sidoqoftë, RB Leipzigu është dëshmuar si një klub model, dy herë nënkampion në Bundesligë pas Bayern Munichut dhe kurrë nuk ka përfunduar jashtë topgjashtëshes gjatë kohës që është në elitën e futbollit të Gjermanisë. Aktualisht, nën drejtimin e trajnerit Marsch, RB Leipzigu renditet në pozitën e tetë në tabelë. Dukej sikur tranzicioni pas Nagelsmannit do të ishte i qetë kur e mposhti Stuttgartin 4:0 në fillim të sezonit. Më pas erdhën humbjet nga Wolfsburgu dhe Bayerni përpara se Leipzigu të mposhtej 6:3 te Manchester City në Ligën e Kampionëve.
“Ndoshta nuk është e drejtë që tani kemi teste kaq të vështira ndaj ekipeve si Bayerni e Manchester City”, pati thënë Marsch i acaruar në atë kohë.
RB Leipzigu u rikthye dhe mposhti Hertha Berlinin 6:0 në Bundesligë. Më pas, humbi 2:1 në shtëpi nga Club Brugge përpara se të përballej me PSG-në në stadiumin “Parc des Princes”, ku Lionel Messi shfrytëzoi gabimet për të shënuar dy gola në humbjen e Leipzigut me rezultatin 3:2. Katër ditë pasi humbën ndeshjen në Paris, Leipzigu mposhti 4:1 në shtëpi Greuther Fuerthin. Megjithatë, Marsch ende është i bindur se paraqitja e guximshme e Leipzigut në Paris para dy javësh ishte “humbja më ë mirë e sezonit". Mirëpo, ai ka thënë se nëse Leipzigu mposhtet edhe të mërkurën në shtëpi nga PSG-ja, atëherë shpresat e ekipit të tij për të avancuar përtej fazës së grupeve të Championsit do të shuheshin përfundimisht me humbjen e katërt rresht.