Mbrojtësit të Përfaqësueses së Brazilit, Marquinhosit i është besuar edhe një herë shiriti i kapitenit, pasi ka marrë më së shumti vota nga bashkëlojtarët e tij. Ditë më parë, PSG-ja ka zgjedhur kapitenin për edicionin e ri, pasi trajneri Luis Enrique ka kërkuar një gjë të tillë nga futbollistët.
Ai nuk është përzier në këtë përzgjedhje, pasi ka thënë se lojtarët janë ata që vendosin se kënd duan ta kenë lider. Kështu që, pas votimit të fshehtë është konstatuar se kapiten i ekipit do të jetë Marquinhos, i cili këtë përgjegjësi e ka pasur edhe në tri edicionet paraparake, ka shkruar “L’Equipe” të mërkurën. Megjithatë, mësohet se për shiritin e kapitenit kanë kandiduar katër futbollistë, përfshirë edhe sulmuesin Kylian Mbappe.
Ky i fundit, ka marrë më së paku vota duke përfunduar i katërti në listë, pasi më shumë se ai janë votuar Danilo Pereira e Presnel Kimpembe. E këto votime të lojtarëve, kanë konfirmuar se Mbappe nuk është i dëshiruar te Parisi për shkak të veprimeve të tij të mëparshme. Francezi së fundmi është rikthyer në ekipin e parë, prej të cilit ishte përjashtuar për shkak se kishte refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon vitin e ardhshëm. Ai haptazi ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar Real Madridit, por Parisi për ta lënë të lirë po kërkon mbi 200 milionë euro dëmshpërblim.
“Mbetet të shihet nëse Mbappe do të jetë pjesë e Parisit këtë edicion apo do të largohet në fund të afatit kalimtar. Ai përfundoi i katërti në zgjedhjet për kapiten të ekipit, pasi të paktë ishin ata që i dhanë votën. Mbappe ka humbur besimin te bashkëlojtarët, të cilët konfirmuan me vota se nuk e duan në ekip”, ka shkruar gazeta franceze.
Marquinhos ka ruajtur statusin e tij si kapiten i PSG-së, me Danilo Pereiran në vendin e dytë dhe Presnel Kimpemben në të tretin. Danilo respektohet jashtëzakonisht shumë në zhveshtore dhe mbajti shiritin e kapitenit kundër Lorientit, në xhiron e parë të edicionit 2023/24 të Ligue 1 pasi Marquinhos nuk ishte i disponueshëm. Mbappe e ka mbajtur më parë shiritin për PSG-në, përfshirë në disa raste në fund të edicionit të kaluar. Që kur iu bashkua PSG-së, Mbappe 24-vjeçar ka shënuar 213 gola në 261 ndeshje.
Ndërkohë, Marquinhos ka qenë në PSG që nga viti 2013 dhe ka bërë 409 paraqitje për klubin, ku vetëm Jean-Marc Pilorget dhe mesfushori aktual Marco Verratti kanë luajtur më shumë. Kimpembe është një tjetër lojtar me shërbim të gjatë dhe është produkt i akademisë së të rinjve të PSG-së.
Edhe
Marquinhos te PSG-ja deri më 2027
“Futbollistët e kanë konfirmuar Marquinhosin si kapiten të ekipit. Braziliani ka udhëhequr ekipin që nga largimi i Thiago Silvas para tri vjetësh dhe vlerësohet si lideri kryesor. Pavarësisht se u përball me kritika për shkak të një periudhe paraqitjesh jostabile edicionin e kaluar, Marquinhos ka mbajtur të gjithë ekipin të bashkuar. Ai shirtin e ka mbajtur edhe para lojtarëve yje që ishin te Parisi, si Messi e Neymar”, ka vazhduar “L’Equipe”.
Ndeshjen e ardhshme, Parisi e luan të shtunën në shtëpi kundër Lensit në kuadër të xhiros së tretë të kampionatit francez. Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, Parisi ka pasur një start të ngadalshëm pasi ka regjistruar dy barazime.