Mario Gomez ka kritikuar ashpër sistemin e video-përsëritjes (VAR), pasi që ky sistem ia ka anuluar atij gjashtë gola në tri ndeshjet e fundit.
Gomez 34-vjeçar po ka telashe në Bundesliga 2 me Stuttgartin këtë stinor, duke realizuar vetëm dy gola në 13 ndeshje qëkur ra në rangun e dytë të futbollit gjerman me këtë skuadër.
Dhe sistemi i video-ndihmës i ka dhënë goditje Gomezit në ndeshjet ndaj Darmstadtit, Nuernbergut dhe Sandhausenit.
Gjatë tri ndeshjeve të fundit ish-reprezentuesit të Gjermanisë i janë anuluar gjashtë gola, pas rishikimit të aksioneve me anë të sistemit VAR.
Gomez beson se sulmuesit që luajnë si ai veçanërisht janë të ndëshkuar nga VAR-i.
“Është hera e gjashtë që më anulohet goli dhe është vetëm çështje e centimetrave. Kur shoh fotografitë, duket se janë mbrojtësit në një vijë me mua. Njëjtë si herën e kaluar. Sulmuesit si unë, që varen nga krosimet dhe pasimet dhe luajnë me vijën e ofsajdit, ndëshkohen rëndë nga VAR-i. Atëherë duhet të blejmë një grup të Messive që vrapojnë me top nga mesi i fushës dhe shënojnë gola”, ka thënë Gomez për “Sky.de”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)