Marco Odermatt i Zvicrës e fitoi medaljen e artë në konkurrencën e meshkujve në sllallom të madh në Lojërat Olimpike.
Skitari 24-vjeçar i Zvicrës arriti në finish me sukses të madh, pavarësisht borës së madhe që binte dhe dukshmërisë jo të mirë të dielën. Ishte hera e parë që ra borë gjatë një gare në skijim alpin në Olimpiadën e këtij viti, ndërsa kushtet e rënduara atmosferike bënë që lëshimi i dytë të shtyhej për 1 orë e 15 minuta.
Në lëshimin e parë Odermatt bëri një gabim, por nga dy lëshimet e pati kohën 2 minuta e 09.35 sekonda. Zan Kranjec i Sllovenisë u stolis me medalje të argjendtë me 0.19 sekonda vonesë, ndërsa kampioni i botës, Mathieu Faivre i Francës, e mori medaljen e bronztë, pasi ishte me vonesë 1.34 sekonda.
Skitarët kanë stërvitur dhe kanë garuar mbi borë artificiale derisa bora e vërtetë nisi të binte vetëm të shtunën në qendrën e skijimit në Yanqing. Stërvitja e dytë në konkurrencën e femrave në disiplinën e lëshimit u shty për shkak të kushteve jo të përshtatshme atmosferike.