Si mund të vlerësosh një madhështor në sport? A mund të krahasosh sportistët nga epoka të ndryshme?
Janë dy tema klasike për të cilat flitet nëpër bare dhe nuk ka ndonjë përgjigje të prerë.
Në stinorin e kaluar të skijimit alpin, e gjithë biseda ishte rreth tentimit të Lindsey Vonnit që të kalojë Ingemar Stenmarkun për t'u bërë skitarja më e suksesshme e të gjitha kohërave, transmeton Koha Ditore.
Duke marrë parasysh pensionimin e hershëm të Vonnit për shkak të lëndimeve, 86 fitoret e Stenmarkut në Kupën e Botës mbeten rekord, por ndoshta ka edhe një njësi tjetër matëse të madhështisë. Si shembull të qenit më i miri në tetë vite rresht.
Nëse kjo është ajo njësi matëse, atëherë austriaku Marcel Hirscher është tashmë skitari më i mirë në histori.
Ai mund të jetë pensionuar këtë javë me 67 fitore në Kupën e Botës, por 30-vjeçari stinorin e kaluar ka fituar për herë të tetë rresht titullin e përgjithshëm të Kupës së Botës në skijim alpin.
Si krahasim, kampioni i dyfishtë olimpik Stenmark - një ikonë suedeze përkrah tenistit Bjorn Borg në vitet ‘70 dhe fillim të viteve ‘80 - kishte fituar vetëm tri herë titullin e përgjithshëm të Kupës së Botës në skijim alpin. Rivali më i afërt i Hirscherit në konkurrencën e meshkujve është Marc Girardelli, që ka fituar pesë tituj të përgjithshëm në nëntë stinorë.
Hirscher po ashtu ka fituar titujt e sllallomit dhe sllallomit të madh në Kupën e Botës në gjashtë stinorë, ndërsa ka shtatë tituj të botës në disiplina të ndryshme dhe ka fituar edhe dy medalje të arta olimpike në Pyeongchang vitin e kaluar, pasi fitoi të argjendtën në Sochi në vitin 2014....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)